Vetëvendosje merr vendim, mbyll zyrat e saj
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të mbyllë zyrat e saj qendrore dhe ato nëpër qytete e fshatra, si masë parandaluese kundër Coronavirusit.
Pas evidentimit të prezencës në Kosovë të virusit CoVid-19 është e domosdoshme të gjithë të ndjekin këshillat e specialistëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
“Po ashtu, të gjithë qytetarët, duhet të zbatojmë me disiplinë të plotë masat e komunikuara nga qeveria e Kosovës”.
“Të prekurve nga virusi u urojmë shërim të shpejtë. Me sa dimë edhe nga vendet e tjera ku ka pasur shumë të infektuar, pjesa shumë e madhe e tyre e tejkalojnë pa problem. Por, duhet vetëdisiplinim, ruajtje e higjienës personale dhe publike, dhe kufizim i lëvizjeve të panevojshme”, thekson VV.
Në kuadër të këtyre masave, VV njofton se do të mbyllë zyrat e saj qendrore dhe ato nëpër qytete e fshatra. “Punën do ta vazhdojmë nga shtëpia, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo nuk do të thotë se izolimi do të jetë total, pasi do të vazhdojmë të dalim për blerje të ushqimeve, si gjithmonë, por me kujdes më të madh për higjienën. Në shtëpi do të mund të kujdesemi edhe për të moshuarit, por edhe për fëmijët tani që shkolla është ndërprerë”.
“Me vetekufizimin tonë, i ndihmojmë personave që duhet të vazhdojnë punën, e ata janë mjeket dhe punonjësit e shëndetësisë, policet e punonjësit e rendit e sigurisë, bizneset që prodhojnë e tregtojnë ushqimin e gjësendet jetike, si dhe disa shërbime të tjera të domosdoshme. Por, çdo punë, udhëtim dhe zbavitje e cila nuk është e domosdoshme, duhet të ndërpritet, që ta ngadalësojmë shpërndarjen e virusit deri sa ta mundim atë”.
VV fton aktivistët e saj të shpërndajnë njoftimet zyrtare dhe të njoftojnë çdo qytetar për rregullat e nevojshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit CoVid-19.
“Me kujdes, pa panik!”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes./FaktePlus