KQZ tregon se a do të shtyhen zgjedhjet në Podujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të vazhdoj me mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, pavarësisht vendimeve të marra nga Qeveria për kufizimet në qarkullim, dhe ndalimit të mbajtjes së mësimit në shkolla.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se kanë marrë rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës, për masat që duhet të merren ditën e 15 marsit, kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
Ai tha se aktivitetet dhe tubimet janë të ndaluara.
“Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me institucionet përgjegjëse lidhur me masat që duhet të ndërmerren nga KQZ-ja si institucion që organizon zgjedhjet. Ne kemi kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të na këshillojnë nëse KQZ-ja duhet të ndërmarrë ndonjë masë urgjente mbrojtëse specifike shëndetësore në ditën e zgjedhjeve më 15 mars 2020. Gjatë ditës ne kemi pranuar disa rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditës së votimit në qendrat e votimit dhe në vendvotime. Pra, këto rekomandime/udhëzime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përcjellë te menaxheret e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe te stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje. FUSHATA Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon subjektet politike që të sillen konform masave, kufizimeve të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sa i përket çështjes së tubimeve publike.”, tha Elezi.