Këto janë masat e Policisë së Kosovës kundër koronavirusit
Virusi misterioz i njohur si “koronavirus”, tashmë po përhapet me të madhe në pothuajse të gjitha vendet e botës.
Ndërsa, së fundi është shënuar edhe viktima e parë në Shqipëri dhe Greqi, shkruan FaktePlus.
E, si duket ndaj mundësisë së përhapjes së këtij virusi nuk është imune as Kosova.
Madje, tashmë janë marrë ehde masat e para nga insitucionet e vendit.
Por, masa kanë marrë edhe Policia e Kosovës.
Në një përgjigje për FaktePlus, nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet tjera relevante sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës është pjesë e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës Emergjente me Koronavirus dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim;, thuhet në përgjigjen e Policisë për FaktePlus.
Policia ka treguar edhe masat që janë ndërmarrë.
“Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth Koronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë siç janë: (Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi) në të gjitha pikat kufitare, proces i cili është në vazhdim, me qëllim të vetëdijesimit dhe informimit ka përgatitur posterat me këshilla mjekësore si dhe ka mbajtur ligjërata informuese në të gjitha pikat kufitare me pjesëtarët e policisë dhe do të vazhdoj me njësi të tjera policore, si dhe ka shpërndarë maska dhe pajisje te nevojshme për policët kufitarë duke përfshirë edhe pikën kufitare të Aeroportit dhe të zyrtareve te tjerë”, thuhet më tutje në përgjigjen e policisë.
Sipas tyre, Policia e Kosovës, do të vazhdojë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore sipas detyrave dhe autorizimeve ligjore që ka, të bazuara edhe në masat dhe planifikimet e parapara.
Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës në një mbledhje në orët e vona ka ndërmarrë disa masa kundër koronavirusit
Masat që ka ndërmarrë qeveria kundër koronavirusit:
Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.
Pezullohet përkohësisht linja e udhëtimit ajror dhe tokësor.
Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-vë në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjet të PK-së.
Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.
— Aktivitetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.
— Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.
— Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.
— Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.
— Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.
— Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.
Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.
Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.
Sipas, Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri me tani Kosova ende nuk ka të infektuar me coronavirus.
IKSHP, apelon të kihet kujdes duke i respektuar rregullat e përcaktuara nga instituti./FaktePlus