Serbi që përdhunoi një grua shtatzënë gjatë luftës, ministrja Haxhiu flet për ekstradimin e tij në Kosovë
Mbi 20 mijë femra të dhunuara llogaritet të jenë në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998-1999.
Për të lehtësuar sado pak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin mujor.
Mirëpo, që nga ajo kohë e deri më tani ende asnjë serb nuk ka marrë dënimin e merituar për krimet që kanë kryer në Kosovë, veçanërisht për rastet e dhunimeve të femrave kosovare.
Rasti i fundit është i një të dyshuari serb e për të cilin pritet edhe ekstradimi i tij në Kosovë me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, shkruan FaktePlus.
Serbi i dyshuar është arrestuar në Budapet të Hungarisë, ndërsa gjatë së martës Gjykata Themelore e këtij qyteti ka vendosur për mbajtjen në arrest të tij deri në pritje të procesit për ekstradim.
Ky person sipas kësaj gjykate e cila edhe ka lëshuar një deklaratë akuzohet se e kishte goditur dhe përdhunuar një grua shtatzënë në fshatin Videjë, në qershor të vitit 1999.
Ndërsa, bëhet e ditur se Gjykata do t’i vlerësojë kushtet për ekstradimin e këtij personi, posa që ta pranojë kërkesën e plotë për ekstradim.
I dyshuari nuk është pajtuar me procedurën e thjeshtësuar të ekstradimit, duke e nxitur gjykatën që të japë urdhër për arrestimin e tij për një periudhë 40-ditëshe.
FaktePlus, për këtë rast ka pyetur edhe ministren e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu e cila ka treguar hapat e mëtutjeshëm për këto raste që do të ndërmerren nga dikasteri të cilin ajo e udhëheq.
Pa dashur të jap më shumë detaje, ministrja o ka thënë se këtë po e bën për shkak që janë raste të ndjeshme dhe mund të pengohen në punën e tyre.
“Si ministre e Drejtësisë do të bëjë gjithçka që është e mundur në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe organet gjyqësore të Republikës së Kosovës, që kriminelet që dyshohet që kanë kryer krime lufte në Kosovë, t’i sjellim para drejtësisë’, ka thënë Haxhiu, për FaktePlus.
Ajo ka theksuar se se për secilin rast do të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afateve ligjore.
“Gjithashtu, informata për raste konkrete nuk mund të ju jap për arsye të konfidencialitetit të rasteve, por për secilin rast ju garantoj se do ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afateve ligjore”, ka deklaruar ministrja, Haxhiu.
Organizatat që merren me të drejtat e njeriut kanë tërhequr vërejtjen për dukurinë e paragjykimeve ndaj këtyre viktimave.
Përtej këtyre paragjykimeve, Vasfije Krasniqi-Goodman është një prej viktimave të rralla të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila ka rrëfyer publikisht historinë e saj që i ka ndodhur rreth 2 dekada më parë.
Ajo ka rrëfyer historinë e saj edhe në një seancë të mbajtur në muajin prill në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”.
Aty, në emër të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, ajo ka kërkuar nga Kongresi amerikan që të adresojë pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut që janë kryer në Kosovë.
Viktimat e dhunës seksuale tashmë kanë kërkuar edhe drejtësi ndërkombëtare. Në muajin prill të vitin 2019, Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.
Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë./FaktePlus
Përdhunoi një shtatzënë – arrestohet serbi i kërkuar për krime lufte në Kosovë