Pandemia e coronavirusit – çfarë do të thotë kjo?
Dy muaj e gjysmë pas fillimit të shpërthimit, coronavirusi është shpallur zyrtarisht një pandemi globale nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Deri më tani janë konfirmuar 125 mijë raste në të gjithë botën, ndërsa 4,500 kanë ndërruar jetë.
Por çfarë do të thotë një pandemi?
Organizata Botërore e Shëndetit përcakton një pandemi si “një shpërthim i një patogjeni të ri që përhapet lehtësisht nga një person në person në të gjithë globin”.
Pjesa më e madhe e botës ka qenë dëshmitare e përhapjes së COVID-19, brenda dhe midis vendeve për disa javë – afërsisht një e treta e rasteve tani jashtë Kinës ku edhe filloi shpërthimi.
Deklarata zyrtare e një pandemie do të thotë se sëmundja është përhapur në një shkallë gjeografike shumë më të gjerë – gjithëpërfshirëse nëpër popullata.
Kjo pikëpamje e pandemisë do të thotë se përhapja e sëmundjes po rritet në disa vende njëkohësisht.
Për të klasifikuar si pandemi, një sëmundje gjithashtu duhet të jetë ngjitëse. Ka shumë sëmundje të përhapura në nivel global (siç është kanceri) që nuk janë infektive, që do të thotë se nuk mund të përshkruhet në këtë mënyrë.
Mirëpo a është bërë befas shumë më vdekjeprurëse?
Definicioni i pandemisë nuk i referohet një rritje së fuqisë ose vdekshmërisë së një sëmundje, por vetëm një rritje në përhapjen e saj.
Ndërkohë një përhapje më e gjerë rrit mundësinë e vdekjeve, por statusi pandemik nuk do të thotë zyrtarisht që shumë njerëz vdesin papritur nga COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga coronavirusi.
Si shndërrohet një epidemi në pandemi?
Një epidemi i referohet përhapjes së sëmundjes në një “komunitet ose rajon … pra mbi tejkalimin e pritshmërisë normale” – ose një grup shpërthimesh në një numër vendesh.
Pasi kjo përhapje bëhet gjithnjë e më globale dhe jashtë kontrollit, ajo bëhet një pandemi, kjo e fundit i referohet sëmundjeve të infeksionit.
Një banor i Mbretërisë së Bashkuar që kap coronavirusin në Kinë dhe vjen në shtëpi nuk do të rezultojë në shpalljen e një pandemie, edhe nëse ata infektojnë një rreth të ngushtë njerëzish. Por nëse do të shkaktonin një shpërthim lokal që nuk mund të përmbahej – një shpërthim që do të përhapej në shumë vende – do të ndodhte një pandemi.
Çka ka ndodhur në të kaluarën – çka do të ndodh më pas?
Në vitin 2009, shpërthimi i gripit të derrit H1N1 u quajt një pandemi, por doli të ishte i butë, duke çuar në kritika pasi kompanitë farmaceutike nxituan zhvillimin e vaksinave dhe ilaçeve.
Është e rëndësishme të theksohet se coronavirusi është më vdekjeprurës sesa gripi i derrave, i cili infektoi midis 700 milionë dhe 1.4 miliard njerëz në të gjithë botën, por kishte vetëm një normë vdekshmërie prej 0.02 për qind.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr.Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se agjencia shëndetësore nuk po ndryshon këshillat e saj për atë që vendet duhet të bëjnë.
Sidoqoftë, ai tha që vendet duhet të rrisin përpjekjet e tyre duke siguruar që ata të zbulojnë, testojnë, trajtojnë, izolojnë, gjurmojnë dhe mobilizojnë njerëzit e tyre.