Ndërpritet plotësisht transporti publik në Tiranë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije se transporti publik në Tiranë do të ndërpritet plotësisht si një tjetër masë drastike e ndërmarrë nga qeveria për të shmangur përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Në një lidhje direkte me një nga mediat, Veliaj u shpreh se “menjëherë sapo të shkëpus lidhjen me ju do të nënshkruaj urdhrin për ndërprerjen e plotë të transportit publik në Tiranë. Jemi në një situatë ku fluksi i lëvizjeve me urban ka rënë me 70%, me duam që të bjerë dhe 30 % që ka mbetur. unë nuk jam shkencëtar por dihet që virusi ka një kurbë të vetën që bie në proporcion me masat që ndërmerren. Preken më pak banorë në kohë më të shkurtër nëse minimizohet lëvizja e njerëzve”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Teksa e cilësoi një masë të nevojshme, Veliaj tha se do të firmoste urdhrin për ndërprerjen e transportit publik menjëhe rë pas përfundimit të intervistës pas konsultimit që kishte pasur me kryeministrin.
“Kështu që do t’i besojmë shkencës, fakteve, realiteteve të ngjashme që kanë përballuar krizën që thonë se janë ca masa jo popullore, është jo popullore t’u thuash fëmijëve mos luaj në këndin e lojërave, t’u thuash të moshuarve mos luani domino dhe t’u thuash të tjerëve që duhet të ecin, nëse është absolutisht e nevojshme në këmbë apo me biçikletë, siç bëjmë shpesh ne në bashkinë e Tiranës, e di që është një masë jo popullore, por na rezulton që qytetet të cilët e kanë marrë që javën e parë e kanë pasur më të shkurtër periudhën e prekjes dhe më të ngushtë hartën e kontaminimit.
“Ndaj do ta marrim këtë masë. Edhe kam qenë në konsultim me kryeministrin dhe menjëherë me të mbaruar këtë interviste ne do të firmosim urdhrin për ndërprerjen e transportit publik si një masë jo popullore, por absolutisht e nevojshme për momentin”, tha Veliaj.
Ndërkaq, në të gjithë Tiranën automjetet e Policisë Bashkiake kanë filluar zbatimin e udhëzimit të Veliajt për informimin përmes qendrave të zërit në çdo lagje. Veliaj theksoi se kjo është një masë e domosdoshme për të informuar qytetarët kudo ku janë për masat parandaluese.
“Teksa ne jemi duke folur, jemi shpërndarë me disa kamionçina në qytet duke bërë thirrje me qendra zëri. Jemi realisht në situatë lufte, por duhet të informohemi. Në këtë lloj beteje na duhet që secili të rrijë në shtëpi, si e vetmja mënyrë që çdokush të jetë i dobishëm. Më parë u kemi kërkuar administratorëve që të bëjnë dezinfektimin e ashensorëve dhe ndërlidhësit me komunitetin të raportojnë nëse ka raste të të kthyerve nga Italia”, tha Veliu.