Shpend Ahmeti ultimatum MASHT-it: Ndalni shkollat, ose i ndali vetë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar ultimatum Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke i thënë të ndalohet mësimi në shkolla, ose ndryshe kryetari Ahmeti do t’i ndalë vet.
Kryetari Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës detyrohet që të merr vendim në qoftë se MASHT’i nuk merr vendim për të pezulluar mësimin.
“Në qoftë se MASHT nuk merr vendim për pezullim të mësimit, na detyrojnë që të marrim vendim si Komunë”, është shprehur Ahmeti.
Tutje, Ahmeti tha se në këtë cështje nuk ka parti dhe se aktualisht një pjesë e madhe e fëmijëve nuk po vijnë në mësim.
“Një pjesë e madhe e fëmijëve nuk po vijnë në mësim sepse prindërit e pastaj edhe mësimdhënësit po e implementojnë vetë rekomandimet për parandalim. Ska parti në këtë betejë”, ka shkruar Ahmeti.
Në qoftë se MASHT nuk merr vendim për pezullim të mësimit, na detyrojnë që të marrim vendim si Komunë. Një pjesë e madhe e fëmijëve nuk po vijnë në mësim sepse prindërit e pastaj edhe mësimdhënësit po e implementojnë vetë rekomandimet për parandalim. Ska parti në këtë betejë.
— Shpend Ahmeti (@ShpendA) March 11, 2020
Ndërkohë, për t’u furnizuar me ushqime e gjësende të tjera higjienike, kosovarët tashmë kanë nisur t’i zbrazin marketet, ani se në vend profesionistët shëndetësorë gjatë gjithë kohës po apelojnë që të mos krijohet panik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, para pak minutash ka njoftuar se shtatë raste të cilat kanë qenë të dyshuara për koronavirus, kanë rezultuar negative.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës njofton opinionin se gjatë ditës së sotme në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare janë testuar 7 mostra të dyshimta për Koronavirus. Pas analizave të kryera, të 7 (shtatë) rastet e testuara kanë rezultuar negative. Sikurse edhe ditëve të kaluara, MSh dhe IKSHPK do ta njoftojnë në kohë reale publikun për rastet e testuara për Koronavirus dhe rezultatet e tyre”, thuhet në njoftim.