Mustafa: Pa BE’në dhe SHBA’në nuk kemi perspektivë
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se pa Bashkimin Evropian dhe Amerikën, Kosova nuk e ka asnjë perspektivë.
Në 30 vjetorin e shënimit të themelimit të degës së LDK-së në Gjilan, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka deklaruar se vazhdimi i shtetëndërtimit të Kosovës realizohet në partneritet me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mustafa tha se janë mirënjohës për kontributin e SHBA-së për çlirimin e Kosovës dhe për angazhimin e tyre në demokratizimin e shtetit më të ri në Evropë. Ai shtoi se do të angazhohen për rritjen e bashkëpunimit me palën amerikane, por deklaroi se shteti i Kosovës nuk ka perspektivë në qoftë se nuk ka partneritet me BE-në dhe me SHBA-në.
“Duhet të punojmë dhe të kemi miq në Evropë dhe jashtë saj. Pa partneritet me Bashkimin Evropian dhe pa partneritet me SHBA-në nuk kemi perspektive ekonomike, zhvillimore dhe demokratike. Një vend demokratik nuk mundet të zhvillohet nëse nuk ka ardhmëri ekonomike, kulturore, demokratike dhe arsimore”, ka thënë Mustafa, raporton Koha.
Kreu i LDK-së ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës një veprim i cili do të ishte i mirëseardhur. “Vetëm ne akoma jemi të prangosur në Kosovë dhe nuk kemi liri të lëvizjes siç kanë vendet e tjera. Jemi një vend shumë i civilizuar dhe jemi një vend evropian dhe synojmë që të bëhemi anëtar i BE-së dhe të jemi pjesë e tregut unik evropian”, shtoi Mustafa.
Kurse kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi se LDK-ja ka nxjerrë mësimet në kohën kur ishte në opozitë dhe tani në qeverisje nuk përsërit gabimet e të tjerëve.