Shkon në 631 numri i viktimave të koronavirusit në Itali
Ka shkuar në 631 numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Itali. Vetëm në 24 orët e fundit vdiqën 168 njerëz, që paraqet rritje prej 36 për qind.
Ndërkohë numri i personave të infektuar në këtë shtet ka shkuar në 10 mijë e 149, me 10.7 për qind rritje nga dita paraprake, kur ishin konfirmuar 9172 raste.
Kryetari i Agjencisë për Mbrojtje Civile tha se nga personat e infektuar, një mijë e katër prej tyre janë shëruar plotësisht.
Në sektorin e kujdesit intensiv ndodhen 877 persona, kurse dje këtë trajtim ishin duke e marrë 733 veta, shkruan “Reuters”.
Të martën në Itali hyri në fuqi vendimi i qeverisë për izolim të plotë në tërë territorin si masë për parandalimin e përhapjes më të madhe.
Federata Italiane e Futbollit i ka anuluar ndeshjet të paktën deri në fillim të prillit, ndërsa policia dhe ushtria po përkujdesen që të respektohet ndalimi i udhëtimeve.
Shumë shtete, përfshirë Kosovën, i kanë ndërprerë fluturimet drejt pjesës veriore të Italisë.