Koronavirusi “rrethon” Kosovën, ç’po ndodh me mallrat e blera nga Shqipëria dhe Kina (VIDEO)
Gjendje alarmante po vlerësohet situata në pothuajse të gjitha vendet e botës pas përhapjes së koronavirusit.
Madje, numri i viktimave në të gjitha vendet ku është përhapur ky virus ka arritur në mbi 4 mijë, shkruan FaktePlus.
Kurse, sipas faqes së statistikave World Matter më shumë se 114 mijë persona janë infektuar nga ky virus.
Por, ndaj kësaj situate nuk është imune as Kosova, pasi që së fundi janë lajmëruar raste edhe në Shqipëri.
E, duke e ditur që Shqipëria dhe Kina janë ndër vendet e para nga të cilat blen mallra Kosova, atëherë edhe vendi ynë mund të përballet me këtë virus.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për FaktePlus se blerjet dhe shitjet e Kosovës me Shqipërinë janë mjaft të madha.
“Po nga Shqipëria dhe Kosova ka një eksport mjaft të madh, dhe kalon mbi 100 milionë eksporti nga Shqipëria dhe normalisht edhe importi. Produktet të cilat importohen janë të industrive të ndryshme por këtu përfshihen edhe produktet e industrisë ushqimore, po ashtu të industrisë së drurit, industrisë së materialit ndërtimor, pra ka një llojllojshmëri të produkteve të cilat importohen nga Shqipëria”, ka thënë Stavileci, për FaktePlus.
Kurse, ka thënë se nga përhapja e koronavirusit ka pasur ulje të importeve nga Kina, shtet nga i cili deri para pak kohësh kosovaret kanë blerë shumë mallra.
“Në bazë të statistikave tona kemi vërejt se nga momenti i përhapjes së koronavirusit kemi pas ulje të importeve nga Kina. Kryesisht ulja e parë është manifestu te porositë online, pra porositë online në ueb faqet kineze kanë rënë qysh në javën e parë në 20 për qind, e pastaj kjo rënie është rrit dhe ka ra deri në 35% “, ka deklaruar Stavileci.
Sipas tij, kontrolli i produkteve që hyjnë në Kosovë në aspektin e doganës bëhet në të gjitha produktet, por në aspektin shëndetësor të produkteve kontrollimin e bën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
E, nga kjo agjenci për FaktePlus, kanë thënë se vet fakti që Kosova nuk importon produkte ushqimore nga Kina ndihmon që të shmanget rreziku direkt nga koronavirusi.
“Republika e Kosovës, nuk importon produkte ushqimore nga Kina, të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë përmes të cilave mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk kemi importe të kafshëve të gjalla. I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve, të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. E kjo padyshim, që na ndihmon që ne t’i shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës së virusit, pra nga Kina”, ka thënë zëdhënësi i këtij dikasteri, Lamir Thaçi.
Sipas tij, për vendet e tjera deri me tani nuk ka ndalesë për produktet ushqimore të cilat iu nënshtrohen kontrollit kufitar përveç kafshëve të gjalla për të cilat edhe në raste të zakonshme mund të bartin një agjent specifik apo sëmundje.
Thaçi, ka thënë për FaktePlus, se si autoriteti më i lartë për ushqim dhe veterinari, janë të gatshëm që në çdo kohë, më të gjitha kapacitetet që kanë të vihen në dispozicion për të vepruar, për parandalimin e këtij virusi në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës, me kërkesë të Arben Vitisë, ministër i Shëndetësisë, ka ndarë 10 milionë euro për luftimin e koronavirusit./FaktePlus