Ura e Ibrit po “pret” marrëveshjen me Serbinë
Ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për qarkullimin e veturave, dhe si e tillë sipas ekspertëve mund të mbetet deri në një marrëveshje finale me Serbinë.
Me marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit 2015 për lirimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe planin për zbatim të gushtit 2016 palët ishin pajtuar që ura do të jetë e lirë për qarkullim për njerëz dhe automjete, por ajo më vonë nuk u realizua.
Kjo nuk ndodhi sipas njohësit të zhvillimeve në lidhje me dialogun me Serbinë, Gazmir Raci, sepse ndodhen ngjarjet siç ishte ndërtimi i murit dhe treni provokues të cilat procese komplet e bllokuan zbatimin e asaj marrëveshje.
Raci shton se po ashtu edhe ndërtimi i sheshit në Mitrovicën veriore dhe mos definimi i vijës administrative komunale sipas Planit të Ahtisarit në mes të dy komunave po ashtu ka ndikuar në mos zbatim.
Arbresh.info: Ura mbi lumin Ibër besoni se nuk do të jetë e “lirë” për qytetarët deri në një marrëveshje finale me Serbinë?
Gazmir Raci: Kjo çështje nuk duhet lidhur me marrëveshjen finale sepse është çështje teknike e dakorduar më herët, ajo vetëm duhet zbatuar nga pala tjetër, Serbia.
Arbresh.info: Dhe, a mund të ndodhë që një dakordim i mundshëm për shkëmbim të territoreve ta sjellë pikën kufitare në këtë urë?
Gazmir Raci: Faza e re e dialogu dhe marrëveshja finale nuk duhet të jetë e bazuar në ndarje të reja ndëretnike, nuk duhet të ketë vija ndarëse etnike. Kosova tashmë është shtet demokratik, i pavarur dhe Sovran dhe se çdo hapje apo vizatime të reja të kufijve janë potencial i ri për konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor. Të gjitha 6 shtetet e Ballkani Perëndimor tashmë kanë nevojë për fqinjësi të mirë, paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Të gjithë jemi të lodhur nga luftërat e përgjakshme që ndodhën në të kaluarën në ketë rajon, sepse ato kanë synuar krijimin e shteteve të pastra një etnike.
Arbresh.info: Apo, një asociacion me kompetenca sipas kërkesave të serbëve, mund t’i mbajë përgjithmonë nën mbikëqyrje kalimet nëpërmjet kësaj ure?
Gazmir Raci: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk e ka ketë kompetencë, e as nuk do duhet ta ketë në çfarëdo forme të re të dialogut apo marrëveshjes finale. Kosova ka dy nivele të qeverisjes në sistemin e saj kushtetues, është niveli komunal që përbëhet nga komunat dhe niveli qendror që është nga Qeveria etj. Kurse siguria në Kosovë është e garantuar nga Policia e Kosovës dhe se lëvizja e lirë garantohet me Kushtetutë dhe ligjet e këtij vendi.
Sipas Racit, Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut përmes Qeverisë së saj të zgjedhur sepse ashtu vendosi edhe Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar.
“Ne duhet te kemi një platformë të qartë se kah duhet të përfundoj ky proces. Kosova e ka obligim pjesëmarrjen në dialog edhe nga Marrëveshja për Stabilizim me BE-në sepse e kemi ratifikuar edhe në Kuvendin e Republikës së marrëveshje ndërkombëtare e në të njëjtën kohë edhe Serbia e ka obligim sepse e ka kapitullin 35 dhe pa përmbushjen e asaj Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, vlerëson Raci.
Bashkimi Evropian i cili kishte financuar më shumë se 1 milion euro projektin për revitalizimin e urës së Ibrit dhe hapjen e saj.
Por, Alidin Damati, gazetari që e ka jetuar realitetin e të gjitha zhvillimeve në veri e jug të Mitrovicës, thotë se ky projekt fatkeqësisht ka dështuar, sepse ka kohë që teknikisht punët kanë përfunduar, ndërkohë që hapja akoma nuk po ndodhë, shkruan arbresh.info.
“Andaj, konsideroj se hapja e plotë e urës kryesore mbi Ibër, që nënkupton qarkullimin edhe të automjeteve, do të ndodhë vetëm pas marrëveshjes finale midis dy shteteve”, vlerëson Damati.
Arbresh.info: Dhe, a mund të ndodhë që një dakordim i mundshëm për shkëmbim të territoreve ta sjellë pikën kufitare në këtë urë?
Alidin Damati: Ndarja e Kosovës, duke demarkuar kufirin në mënyrë që pjesa veriore të mbetet brenda Serbisë, përfshinë komunat e Leposaviqit, Zveqanit dhe Zubin Potokut. Në këtë rast mendoj se Mitrovica do të merrte statusin e veçantë. Pra, një dakordim i mundshëm për shkëmbim të territoreve nuk besoj se do ta sjellë pikën kufitare në këtë urë.
Arbresh.info: Apo, një asociacion me kompetenca sipas kërkesave të serbëve, mund t’i mbajë përgjithmonë nën mbikëqyrje kalimet nëpërmjet kësaj ure?
Alidin Damati: Ndërsa sa i përket asociacionit dhe kërkesave të komunitetit serb, deri tani kemi dëgjuar se krijimi i asociacionit do të ndodhë në përputhje me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Dhe në rast se ndodhë kështu, atëherë asociacioni mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.
Ende nuk dihet saktësisht se çfarë konkretisht është diskutuar në Uashington në takimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky takim u ndërmjetësua nga I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Aty ishte edhe Jared Kushner, Këshilltar Special i presidenti Donald Trump, I cili ka një ndikim të madh në politikën e jashtme. Ai është personi i cili është përfshirë direkt në politikën e SHBA-ve për Izraelin dhe Palestinën edhe pse ai nuk ka përvojë të diplomacisë së Lindjes së Mesme.
Dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, pas kthimit nga Uashingtoni, e vlerësuan si takim shumë të rëndësishëm për interesat e Kosovës dhe Serbisë, por pa specifikuar dakordimet e mundshme