Bie pushteti pro Vuçiq në Preshevë: Shqipërim Arifi nuk i ka numrat për seancë
Sikur që ju kishim njoftuar ditëve të kaluara koalicioni qeverisës në Preshevë po kalon një krizë të thellë dhe nuk po mundet ti siguroj numrat për mbajtjen e seancës.
Për portalin rtvpresheva.com në orët e mbrëmjes nga Partia për Veprim Demokratik si dhe nga Partia Demokratike Shqiptare na informuan se Kryetari i Kuvendit Komunal në Preshevë i ka njoftuar se nesër nuk do të mbahet seanca e thirrur.
Zavendëskryetari i grupit të këshilltarëve nga Partia Demokratike Shqiptare, Shpat Aliu gjithashtu na konfirmoi se personalisht atë e ka kontaktuar Sami Salihu dhe se e ka informuar se nesër nuk mbahet seanca.
Me gjithë insistimin tonë që të marrim informatë më të detajuar nga Sami Salihu ky i fundit deri në këto momente nuk i është përgjigjur interesimit tonë.
Sidoqoftë, informata zyrtare është se nesër nuk do të mbahet seanca, e a do të provohet edhe një herë të mbahet seanca deri me datën 12.03.2020 kur edhe skadon afati ligjor, mbetet të shihet.
Ndryshe, partia e Arifit është në koalicion në Preshevë me SNS’in e presidentit serb Aleksander Vuçiq. Madje janë votat serbe që e ndihmuan Arifin për të mbetur deri me tani kryetar i Preshevës.