Arrin në 684 numri i rasteve të koronavirusit në Gjermani
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar nga koronavirusi në Gjermani ka shkuar në 684 të shtunën. Përhapja e virusit ka ngjallur frikë për rritjen e ndikimit në ekonomi në njërën nga shtetet më të varura nga tregtia.
Instituti “Robert Koch” njoftoi se numri i rasteve të reja në 24 orët e fundit u rrit për 45 persona, shumica prej të cilave u regjistruan në pjesën perëndimore dhe jugore të Gjermanisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve tashmë është dhjetë herë më i madh se para një jave. Më 29 shkurt, në Gjermani ishin konfirmuar vetëm 66 persona të infektuar, shkruan “Reuters”.
Duke qenë vendi me popullsinë më të madhe në Evropë, Gjermania ndodhet në vendin e dytë në listën e shteteve me më së shumti persona të infektuar me koronavirus, pas Italisë. Deri më tani, nuk është raportuar për asnjë vdekje nga virusi.
Lufthansa, kompania më e madhe ajrore në Evropë sa i përket numrit të aeroplanëve, njoftoi të premten se do ta përgjysmojë numrin e fluturimeve në javët e ardhshme për shkak të rënies së papritur të kërkesës për bileta.