Thaçi: Shkolla shqipe ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar
Në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.
E, presidenti i vendit, Hashim Thaçi duke uruar të gjithë mësuesit, ka thënë se në këtë datë kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror, përcjell FaktePlus.
Sipas tij, në këtë ditë kujtohet kontributi dhe sakrifica e jashtëzakonshme e mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë.
Postimi i tij i plotë:
Çdo 7 Mars, në Ditën e Shkollës Shqipe, Ditën e Mësuesit, kujtojmë historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror.
Kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë.
Ndërkaq, sot urojmë të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët me besimin se ata vazhdojnë të jenë prijatarë të ngritjes së gjeneratave të reja të Kosovës, konkurrente dhe të barabarta me gjeneratat e tyre në rajon dhe më gjerë.
Urime 7 Marsi! HTH