Haradinaj: Dita e mësuesit e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar
Në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.
Këtë ditë e ka uruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
Ai ka shkruar se 7 Marsi – Dita e Mësuesit, është një ditë e shënuar dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar.
Postimi i tij i plotë:
7 Marsi – Dita e Mësuesit, është një ditë e shënuar dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar. Kujtoj, në veçanti, mësuesit e mi dhe gjithë mësuesit dhe mësueset shqiptare ndër breza që sakrifikuan gjithçka për të na edukuar e mësuar. Më së vështiri e patën mësuesit e nxënësit e viteve të nëntëdhjeta, të cilët në kushte shumë të vështira është dashur që të mësonin, edhe kur regjimi atëherë ua ndaloi mësimin qytetarëve të Kosovës veç pse flisnin shqip. Tashmë, mësimdhënësve të kësaj periudhe u njihen kontributet edhe nga shteti, falë një vendimi të qeverisë, për të cilin jam shumë krenar! Urime kjo datë e rëndësishme, të gjithë mësimdhënësve shqiptarë!
RH
P.S. Në këtë foto jam unë me shokët e shoqet e klasës dhe mësimdhënësit Bajram Çekaj, Nife Haskaj dhe Miftar Çekaj./FaktePlus