Ja çfarë tha ministri Blerim Reka për kompromisin me Serbinë, që nxiti reagimin e ashpër të PDK-së
Ministri i Integrimeve, Blerim Reka, ka propozuar një ide, si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi, të cilën ai e ka quajtur “kompromis fer për Serbinë”.
“Në vend të kësaj që po flitet, apo që po kualifikohet se kinse duhet dhënë territor Serbisë, unë e kam një ofertë tjetër. Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë për dalje në Detin Adriatik, përmes Kosovës, përmes autostradës të Kosovës, në Durrës. Dhe më duket se është një kompromis fer për Serbinë”, ka thënë Reka në një intervistë në RTK.
Kjo deklaratë e Ministrit të Lëvizjes Vetëvendosje ka nxitur reagimin e ashpër të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e ka konsideruar këtë ide si tepër shqetësuese dhe të rrezikshme, por edhe anti-kombëtare.
“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar. Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK, po ashtu, ka pohuar se atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë Vetëvendosje.
“Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik”.
PDK, në deklaratën e saj, ka tërhequr vërejtjen se nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga Kryeministri Kurti që urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar./FaktePlus