Osmani: Nderimi më i madh për ata që ranë për liri është duke punuar me nder e përgjegjësi
Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është duke u mbajtur akademia përkujtimore kushtuar komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila është duke marrë pjesë në akademi ka thënë se Adem Jashari bashkë me familje kanë mbrojtur pragun e shtëpisë, por që shtëpia e tyre reale ishte Kosova.
Osmani ka thënë se të gjithë duhet respektuar ata që kanë rënë për liri.
“Secili duhet të dijë që respekti ndaj atyre që ranë për këtë vend nuk është vetëm obligim, por është traditë. Nderimi më i madh që mund t’ua bëjmë atyre është duke punuar me nder e përgjegjësi për këtë vend – kjo do të jetë përmbushje e amanetit të Adem Jasharit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm bashkërisht”, deklaroi ajo.
22-vjetori i Epopesë së UÇK-së, është duke u shënuar me aktivitete të ndryshme./FaktePlus