Osmani: Pjesëtarët e FSK-së, sot janë reflektim i sakrificës së familjes Jashari
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në manifestimin qëndror për nder të Epopesë së UÇK-së në kazermën “Adem Jashari”.
Osmani tha se sot, Jashari kujtohet me dhembje e krenari, ngase siç u shpreh ajo, komandanti legjendar u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë e Kosovës.
“22 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari po luftonte të mbronte krejt Kosovën ndaj një regjimi shfarosës. Sot, nga kazerma e kujtojmë me dhembje mirëpo edhe me krenari të madhe Adem, Hamzë e Shaban Jashari, mirëpo edhe çdo dëshmor që dha jetën për lirinë e Kosovës. Me heroizmin e tij, komandanti Adem Jashari u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë të Kosovës”, tha Osmani.
Osmani tha se pjesëtarët e FSK-së, sot janë reflektim i sakrificës së familjes Jashari, dhe kjo sipas tij shihet çdo ditë nga qytetarët e Kosovës.
“Ai u shndërrua në shembull të sakrificës. Të dashur pjesëtarë të FSK-së, ju gëzoni besimin për rolin dhe përgatitjen profesionale që ju posedoni. Ky vlerësim nga qytetarët është se ata tek ju shohin garancën e Adem Jasharit, që lanë amanet që asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës mos të preken”, tha Osmani./FaktePlus