Sot bëhen gjashtë vjet nga miqësorja e parë, Kosova – Haiti
5 marsi i vitit 2014, do të mbetet përjetë në kujtesën e sportdashësve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 2014, Kombëtarja e Kosovës shënonte fundin e izolimit, duke zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare të pranuar nga FIFA, me kundërshtar Haitin.
Ndeshja me Haitin, ishte një kthesë e madhe për futbollin kosovar, që vinte si një paralajmërim, se jemi rrugës së ndërkombëtarizimit nga UEFA dhe FIFA.
Ishte stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë që do të mirëpriste këtë ndeshje historike, dhe që ishte i mbushur i tëri me 17 mijë shikues, me biletat që ishin shitur brenda një dite.
Interesimi për ndeshjen e parë të Kosovës ishte jashtëzakonisht i madh, çka tregon edhe numri prej 193 gazetarëve nga Kosova dhe e mbarë bota, derisa të pranishëm ishin edhe zyrtarë të FIFA-s.
Atëkohë, Kosova drejtohej nga ‘arkitekti’ i saj Albert Bunjaku, i cili qëndroi në krye të Kosovës deri në mbarimin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2018.
Formacioni i parë i Kosovës:
Samir Ujkani, në mbrojtje Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Përdedaj e Kristian Nushi. Mesfusha përbëhej nga kapiteni Anel Rashkaj, Ardian Gashi dhe Enis Alushi dhe treshja sulmuese Shpëtim Hasani, Ilir Azemi dhe Albert Bunjaku.