Qeveria “Kurti” pa program qeverisës edhe pas një muaji
Tashmë janë bërë një muaj prej se është formuar Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, mirëpo partnerët e koalicionit ende nuk e kanë publikuar programin qeverisës, ndonëse të dyja palët u zotuan se plan programi do të prezantohej menjëherë pas votimit të qeverisë.
Gjithë çfarë dihet deri tani është ekspozeja që e ka prezantuar Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ditën që u votua Qeveria.
Në publik ka dalë vetëm një dokument-marrëveshje e arritur mes LVV-së dhe LDK-së, në të cilin janë paraqitur sipërfaqësisht disa pika programore.
Në draft-programin e Kurtit po ashtu thuhet se të dyja partitë për këtë do të dakordohen përmes një akti të veçantë.
Për këtë, në fundjavë dy subjektet politike, që janë në koalicion qeverisës, VV dhe LDK u takuan në një hotel në Prevallë, për të harmanizuar programin qeverisës.
Mirëpo, për mospublikimin i këtij programi deri më tash qeveria “Kurti” ka marrë kritika të ashpra në vend.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për lajmi.net ka thënë se përkundër premtimeve se programi do të publikohej menjëherë pas votimit të qeverisë, deri me tani nuk e kemi parë asnjë draft përfundimtar, derisa shton se nga ajo që është parë në publik është se, as vet koalicioni qeverisës nuk e ka pasur të gatshëm këtë program.
“Duke qenë se gjatë vikendit që lam pas, kemi pasur një takim të koalicionit qeverisës ku janë harmonizuar çështjet e fundit apo edhe ato, të cilat të themi kanë mbetur ende të pa qartësuara si duhet, besoj që tashme do të duhej që ky program të ishte gati në mënyrë që të gjitha vendimet e marra nga kjo qeveri të jenë të bazuara nga një program i menduar mirë, i cili adreson si çështje të cilat do të duhej që në secilën fazë të tyre të jenë të glorifikuara me këtë program ashtu edhe me prioritetet që duhet të ketë kjo qeveri”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, Kurti në një kohë sa më të shpejtë do të duhej ta publikojë programin përfundimtar qeverisës, i cili trajton të gjitha çështjet që do të prekën nga kjo qeverisje.
“Deri me tani e dim se cilat prioritete duhet t’i ketë kjo qeveri, mirëpo nuk kemi parë në hapa konkret, duke qenë se programi i shpërndarë për deputetët e Kuvendit gjatë ditës së votimit të qeverisë ka qenë i mangët, sa i përket informacioneve të detajuara që do të duhej të përmbante, megjithëse besoj se kjo është një praktikë e mirë që deputetet të njoftohen paraprakisht. Mirëpo ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe do të duhet që kryeministri Kurti në këtë rast si udhëheqës i ekzekutivit ne një kohë sa më të shpejtë të publikojë programin përfundimtar qeverisës i cili trajton të gjitha çështjet që do të prekën nga kjo qeverisje. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një nivel i kënaqshëm i transparencës duke qenë që kjo ka qene një nga premtimet bazë të Kurtit si kryeministër mirëpo edhe të dy subjekteve politike të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës”, ka thënë Cakolli.
Ndërsa, Selatin Kllokoqi, hulumtues në Demokracia Plus, ka thënë se beson që plani i harmonizuar qeverisës i dakorduar para se të votohej qeveria si duket ka pasur nevojë për plotësime shtesë, prandaj edhe siç thotë ai, mund të ketë pasur vonesa.
“Plani i harmonizuar qeverisës i dakorduar para se të votohej qeveria si duket ka pasur nevojë për plotësime shtesë, pasi që qeveria ka marrë detyrën dhe me siguri kanë pasur informata të reja për gjendjen në ministritë e ndryshme, gjë që besoj ka ndikuar që të bëhen adaptime të planit paraprak. Si duket dhe në bazë të deklaratave të fundit pas takimit të fundit të kabinetit qeveritar plani qeverisës do të publikohet dhe besoj se nuk ka më arsye që të vonohet publikimi i tij”, ka thënë Kllokoqi.
Sipas tij, kjo vonesë nuk do të duhej të ketë ndikim në realizimin e planit qeveritar.
“Se jemi vonuar në shumë çështje është më se e vërtetë, kur kihet parasysh koha e gjatë e kaluar nëpër proces zgjedhor dhe me siguri kjo i ka pasojat e veta si politike ashtu edhe ekonomike. Tani që qeveria ka filluar të punojë, kjo vonesë në vetvete nuk do të duhej të ketë ndikim në realizimin e planit qeveritar, sepse besoj që edhe plani qeveritar është i përgatitur ashtu që të implementohet gjatë këtij mandati”.
Në anën tjetër, analisti politik, Rasim Alija mendon se me e rëndësishëm është përmbajtja e plan programit sesa data se kur do të publikohet, mirëpo shton se do të ishte ideale që në muajin prill Qeveria të fillonte me një plan qeverisës.
“E para është e rëndësishme që qeveria ta ketë një plan qeverisës, të ketë prioritetet të qarat, mbi të gjitha të shohim si janë futur dy programet e dy subjekteve politike që janë në koalicion. Kjo është shumë rëndësishme sepse do të varet në masë të madhe kahja e dikastereve të caktuar që u epet ministrive të caktuara në bazë të programit qeverisës të shtrirjet së atyre programeve në një të vetëm. E dyta që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me cilësinë e programeve që nënkupton pastaj edhe kërkesën tjetër në përmbushjen e premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës. Kemi këtu parasysh një sërë reformash që duhet adresuar dhe është mjaft interesante ta shohim e ku janë pozicionuar ato reforma. Pra, për opinionin publikë është e rëndësishme që të ketë një program qeverisës që është i fokusuar në përmbajtje sesa në formën e tij. Do të ishte ideale e madje e domosdoshme që qeveria ta ketë një plan qeverisës. Pasatja ta shohim se a do të jetë e listuar çështja kryesore e momentit, pra çështja e dialogut dhe të shohim se a është përmbajtja në përputhje më cilësinë dhe premtimet që i kanë bërë gjatë fushatës si dhe pastaj të bëhej një analizë se sa janë të arritshëm ato”, ka thënë Alija.