Kurti emëron edhe dy këshilltarë politikë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, emëroi sot Fëllanza Podrimja dhe Elvis Hoxha si Këshilltarë Politikë.
Podrimja, është e rritur në Gjermani dhe ka përfunduar studimet Master për shkenca politike me theks të veçantë në Evropën Lindore dhe marrëdhëniet transatlantike, në Universitetin e Ludëig Maximilian të Munihut.
Para se të kthehej në Kosovë ka punuar disa vite si këshilltare politike në Berlin ku njëherit është njohëse e institucioneve të politikbërjes në Gjermani e në BE.
Kurse, Elvis Hoxha, është i diplomuar në inxhinieri kimike, në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në filozofi, në Universitetin Paris-8, në Francë. Ka ligjëruar filozofinë politike dhe estetikën në Universitetin Paris-8 dhe në disa universitete të Tiranës.
Është autor i disa eseve në lidhje me implikimet e politikës, artit dhe historisë me filozofinë, si dhe përkthyes i mbi dhjetë librave nga autorët më të njohur të filozofisë bashkëkohore franceze.
Aktualisht ai është drejtor ekzekutiv i Institutit Politik të Studimeve Humane me qendër në Tiranë./FaktePlus