Afaristi i njohur kosovar: Prej sot punëtorët e mi do ta kenë pagën minimale 350 euro
Biznesmeni i njohur nga Kosova që është pronar i kompanisë “Meka Halal Food”, Burim Piraj ka marrë gjatë ditës së sotme një vendim shumë të rëndësishëm për punëtorët e kompanisë së tij.
E ky vendim i afaristit Piraj erdhi pasi dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.
“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kështu thirrjes së kryeministrit Kurti sot i është përgjigjur bisnesmeni i njohur kosovar, Burim Piraj.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se që nga sot në kompaninë e tij “Meka Halal Food”, paga minimale do të jetë 350 euro neto, duke përfshirë edhe sigurimin shëndetësor dhe atë të pensioneve.
Piraj, ka deklaruar se ky vendim hyn në fuqi menjëherë në ditën e sotme.
Duhet theksuar se paga prej 350 euro do të jetë më e vogla pavarësisht punës që kryer, pasi në këtë kompani paga mesatare është më e lartë.
Madje, kompania “Meka” është e njohur edhe për trajtimin që u bënë punëtorëve të saj, duke u dhënë brenda vitit nga 13 dhe 14 rroga.
Kompania “Meka”, në vitin 1992 ka filluar aktivitetet e saja prodhuese duke nxjerrë në treg suxhuk, kurse më vonë fillon prodhimin e produkteve të tjera siç janë; sallamë, proshutë, salsiçe, pashtetë, rriskë të gjedhit, si dhe gjella të gatshme të konzervuara.
Kjo kompani është e çertifikuar me standarde ndërkombëtare për cilësi në prodhimin e produkteve HALAL.
Cilësia e produkteve ka bërë që të jetë fituese e shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare.
Në vitin 2015 në Gjenevë të Zvicrës, MEKA u shpërblye nga organizata BID me medaljen e artë për cilësi të lartë të produkteve dhe të menaxhimit.
Këtë shpërblim MEKA e fiton në konkurrencë e sipër me kompani të mëdha botërore për përpunimin dhe prodhimin e mishit.
“Meka” kosovare që u jep punëtorëve edhe rrogën e 14, vazhdon të rritet
Postimi i tij i plotë:
Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mirëbërësit!
Unë si individ dhe si punëdhënës tërë jetën time kam qenë i përkushtuar që të bëjë sa më shumë gjëra të mira për atë se Allahu na obligon një gjë të tillë!
Unë nuk jam i pa gabueshëm dhe se vetëm Allahu është i përkryer, prandaj i kërkoj mëshirë dhe falje të Madhit Allah për të gjitha gabimet që i kam bërë me qëllim dhe pa qëllim!
Duke e mbajtur këtë drejtim unë kam vendos që t’i përgjigjem thirrjes së kryeministrit Kurti që paga minimale të jetë 350 EURO neto në kompaninë time, pra sigurimi shëndetësor , sigurimi i pensioneve dhe dreka e punëtorëve do të mbulohet nga kompania jonë, duke respektuar orarin e punës 8 orë në ditë 40 orë në javë dhe 18 ditë pushim vjetor!
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!
Allahu qoftë udhëzues dhe mbështetës i imi, firmës sime dhe mbarë kombit tim!
Për hajr kryeministër kjo nismë!/FaktePlus