Kuvendi nuk merret me kërkesën e presidentit Thaçi, në agjendë ka diçka tjetër
Presidenti i vendit Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e një seance për ditën e sotme në të cilën ai do të raportojë lidhur me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pranimin e një shkresë të tillë, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga kabineti i Kryetares se Kuvendit, Vjosa Osmani, përcjell FaktePlus.
Mirëpo, pavarësisht kësaj kërkese Kuvendi i Kosovës sot nuk do të mbajë një seancë të tillë.
Kjo, për shkak se sipas procedurave së pari duhet të mblidhet Kryesia e Kuvendit ta shqyrtojë kërkesën e më pastaj të caktohet seanca, çfarëdo qoftë ajo.
Një burim brenda Kuvendit të Kosovës, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se nuk do të ketë seancë dhe njëherë për njëherë kjo kërkesë nuk është në agjendë.
“Së pari duhet të mblidhet Kryesia e Kuvendit të diskutojë lidhur me kërkesën e pastaj të caktohet seanca. Mirëpo, njëherë për njëherë nuk është në agjendë”, ka thënë ky burim.
FaktePlus, për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
E vetmja përgjigje e tij, ka qenë që t’i referohemi webfaqes së Kuvendit.
“Aktivitetet e trupave të Kuvendit, paraprakisht publikohen në web faqen e Kuvendit. Andaj për takimin e përmendur referojuni web faqes së Kuvendit”, ka thënë Krasniqi për FaktePlus.
E, në web faqen e Kuvendit për sot janë paraparë vetëm tri aktivitete dhe që të trija kanë të bëjnë më mbledhjet e komisioneve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.
Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara, gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime, që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./FaktePlus