Haradinaj: Kurtin janë duke e futur në karantinë politike
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kurtin po e fusin në karantinë politike, me veprimet e tij pas heqjes së taksës.
Haradinaj ka thënë se tashmë pozita e Kurtit ka nisur të dobësohet, ndërkohë që Thaçi po përgaditë marrëveshje ta panjohura për Kosovën.
“Zoti Kurti duhet me kuptu që janë duke e futë në karantinë politike dhe është duke u vetëizolu me heqjen e taksës. Presidenti Thaçi një javë ka qëndru në Uashington. Kush e di se çfarë turizmi ka bërë atje”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se më mirë është të rrëzohen qeveritë se të dëmtohet shteti me heqjen e taksës.
“Nëse heqet taksa, me çfarë instrumenti mund ta kushtëzosh Serbinë. Kurgjë është me u rrëzu 100 qeveri, vetëm sa të mos dëmtohet shteti”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka thënë se mbajtja e taksës nuk e dëmton raportin e Kosovës me SHBA-në.