Uran Ismaili: Shkarkimi i Çitakut vendim partiak
Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Uran Ismaili, ka reaguar ndaj propozimit për shkarkim të ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
“Vendimet e sotme të Ministrit të Jashtëm, përfshirë ai për shkarkimin e Ambasadores Vlora Citaku, shihet qartë që janë vendime partiake që nuk marrin për bazë kontributin në përfaqësim të shtetit”, ka shkruar Ismaili.
Ai pretendon se publikimet e shkarkimeve në rrjete sociale e dëmtojnë shtetin.
“Publikimet e lajmeve për shkarkime në Facebook nuk e dëmtojnë vetëm personin e targetuar, por edhe shtetin. Me këto vendime Lëvizja Vetevendosje edhe një herë po deshmon që interesin partiak e ka mbi atë shtetëror. Kosova ka nevojë për një diplomaci strategjike, e jo për qeveri që taktizon në baza të ngushta dhe krejtësisht partiake”, shton ai.
Ai tutuje thotë se Citaku ka bërë punë të shkëlqyer në Uashington dhe OKB, dhe ka përfaqësuar Kosovën kundër Serbisë.
“Ambasadorja Çitaku ka bërë punë të shkëlqyer në Uashington dhe OKB, ku ka përfaqësuar Kosovën denjësisht, shpesherë duke turpëruar liderët serbë të cilëve qeveria e re u është dorëzuar pa kushte. Në terma afatshkurtër, mosnjohja e këtij kontributi mund të duket se sjell dobi për partinë, por në realitet dëmton seriozisht Kosovën në planet afatgjate”, përfundon Ismaili.