Thaçi falënderon Trumpin për angazhimin e drejtpërdrejtë amerikan në dialog
Presidenti Hashim Thaçi e ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen që po i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në Twitter ka thënë se angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve përmes Këshilltarit për Siguri Kombëtare Robert O’Brien dhe të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Richard Grenell ka sjellë dinamikë të re në këtë proces.
“Falemnderit sërish Donald Trump për mbështetjen që po i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Angazhimi i drejtpërdrejtë amerikan përmes Robert O’Brien dhe Richard Grenell ka sjellë një dinamikë të re në këtë proces. Ne presim që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke së shpejti”, ka shkruar ai kur e ka ripostuar ‘cicërimën’ e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Në fakt, në postimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë është publikuar edhe foto e parë e takimit të djeshëm që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq.
Në takimin Thaçi-Vuçiq të pranishëm kanë qenë edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O’Brien dhe i Dërguar i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun, ambasadori Richard Grenell.