Raportet Kosovë-Shqipëri në pikë kritike, sikur dikur Esat Pashë Toptani me Hasan Prishtinën e Bajram Currin
Gjuha, kombi, tradita, e kaluara e përbashkët e shumë elemente të tjera që Kosova i ka të njëjta me Shqipërinë, ka ndikuar që banorët nga të dyja anët e kufirit të kenë mes vete tradicionalisht marrëdhënie të mira. Megjithatë kjo nuk mund të thuhet së fundmi edhe për burrështetasit nga të dyja anët e kufirit, të cilët jo që nuk kanë raporte të mira, por edhe po shkëmbejnë vazhdimisht akuza e kundërakuza ndaj njëri-tjetrit. Njohësit thotë se raportet aktualisht janë si dikur që kishte Esat Pashë Toptani me Hasan Prishtinën e Bajram Currin.
Çështjet si politika e jashtme, taksa ndaj Serbisë, marrëdhënia me Serbinë, por edhe deklarata të ndryshme nxitëse nëpër emisione televizive, duket se i kanë përçarë liderët e të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Në fakt, tema për të cilën filluan polemikat më të ashpra, ka të bëjë me çështjen e shumëpërfolur për ndarje, korrigjim apo shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Madje kjo çështje ka çuar në përplasje të ashpra ndërmjet liderëve këndej e andej kufirit, të cilët po bëjnë padi nëpër gjykata për shpifje, duke i vënë kështu në një pozitë jo të mirë marrëdhëniet mes dy shteteve.
Ish- kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte thënë se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte shtytësi kryesor i ndarjes së Kosovës, për t’u demantuar nga ky i fundit, e i cili e quajti gënjeshtar dhe e paditi.
Tensione pati edhe mes miqve të vjetër, ish- kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës e presidentit Hashim Thaçit. Ky i fundit e kishte quajtur Berishën argat të Millosheviqit e gërmadhë politike, ndërsa Berisha iu kishte referuar me ‘Miladin shqipfolës’, duke aluduar në Miladin Popoviqin, ish- funksionar në Partinë Komuniste Jugosllave.
Njohës të rrethanave politike konsiderojnë se këto raporte të tensionuara janë shfaqur në vazhdimësi nëpër etapa historike. E me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, vlerësojnë se Edi Rama mund ta humbas epitetin e ‘liderit’ të Ballkanit.
Nexhmedin Spahiu, njohës i zhvillimeve politike dhe historike ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se politikanët nga Kosova dhe ata nga Shqipëria, tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të tensionuara.
Ai përmend kohën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kur kishte marrëdhënie të këqija në mes të kryeministrit e ministrit të Brendshëm shqiptar, Esat Pashë Toptanit dhe veprimtarëve e politikanëve nga Kosova, si Hasan Prishtinës, Bajram Currit e Isa Boletinit.
“Ç’është e vërteta këto raporte kanë qenë jo të mira që nga themelimi i shtetit shqiptar. D.m.th këto raporte nuk është që kanë qenë raporte të shkëlqyera në asnjë periudhë, madje edhe në kohën kur Kosova e Shqipëria kanë qenë bashkë në një shtet. Ka pasur, nëse e shikojmë historikisht atëherë kemi p.sh politikani më i zhdërvjelltë në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ka qenë sigurisht Esat Pashë Toptani dhe ne e dimë se në çfarë raporte ka qenë ai me Bajram Currin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën. Pra, nuk kanë qenë të mira, por armiqësore”, tha Spahiu.
Ai tregon se raportet e këqija mes burrështetasve nga Shqipëria kanë vazhduar edhe në kohën e Zogut dhe në vitet 1943-44 kur Shqipëria ishte nën pushtimin gjerman e kur kryeministër ishte Rexhep Bej Mitrovica.
Në këto vite, sipas Spahiut edhe ministri i Brendshëm Xhaferr Deva që vinte nga Mitrovica u detyrua të jepte dorëheqje pasi kishte marrëdhënie të tendosura me kryetarin Mehdi Frashëri.
Marrëdhëniet e tensionuara për Spahiun vazhduan edhe mes presidentit Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha.
“Ishte një kohë kur Rugova kishte marrëdhënie të mira me Berishën, por në vitin 1996 ishin acaruar dhe Rugova nuk donte të shkonte në Shqipëri derisa Sali Berisha ra prej pushtetit edhe mandej ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë përmes Kushnerit, kur Berisha ka dashtë me vizitu Kosovën kështu që ne nuk mund të themi që në asnjë periudhë nuk kanë shkëlqyer marrëdhëniet mes dy shteteve”, thotë Spahiu.
Sipas tij, në këto acarime të marrëdhënieve ka ndikuar jo pak edhe Serbia.
“Zakonisht kjo ka qenë edhe arsyeja e këtyre raporteve p.sh me Esat Pashë Toptanin kanë pas raporte të këqija Curri e Boletini, sepse ka pas raporte të mira me Serbinë. Arsyeja kryesore pra ka qenë Serbia në periudha të ndryshme historike, sepse shtetit serb i ka konvenu të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë e jo me Kosovën”, deklarohet ai.
Ndërsa për njohësin e rrethanave politike, Rasim Alija, ngjarjet e fundit tregojnë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në një pikë tejet kritike.
“Është e vërtetë që marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë, faktikisht mes krerëve institucionalë dhe jo vetëm të kësaj qeverie por edhe të qeverisë së kaluar, marrëdhëniet janë në pikën më kritike që kanë qenë ndonjëherë. Këtë e shohim edhe në pritjen që iu bë Qeverisë Kurti gjatë vizitës së kaluar. Pra, marrëdhëniet jo vetëm si formë, por edhe si përmbajtje kanë pësu revolucion e rrjedhimisht janë në një pikë kritike”, ka thënë Alija për FaktePlus.
Sipas Alisë, fajtori për këtë është imazhi prej ‘liderit të Ballkanit’ që është munduar ta ndërtojë kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“E gjithë kjo e ka edhe një prapavijë tjetër e prapavijë është kjo pjesa e liderizmit që e ka kultivu prej ardhjes në pushtet në Shqipëri Edi Rama, mbi të gjitha në mandatin e fundit. Një lloj figure që e ka ndërtu, imazhi që e ka ndërtu z.Rama për vetveten si një lider gjithëshqiptar mbi të gjitha edhe si lider përtej shqiptar, si një lider i Ballkanit. Kur e kemi parasysh se dikush nga Kosova mund t’i dalë kundër për çfarëdo lloj ideje që mund ta ketë z.Rama, atëherë kjo merr drejtim tjetër që është edhe përplasja në marrëdhënie ose përplasja me deklarata që e ka pasur ai sidomos me z.Haradinaj”, shton tutje ai.
Për të, me ardhjen e Kurtit në pushtet, Rama do ta ketë një konkurrent të një lideri dhe nuk do ta mund të përdorë të njëjtën gjuhë ndaj tij si ndaj ish-kryeministrit Haradinaj.
“Do të vazhdojmë të shohim deklarata të tilla, por jo me etiketime të tilla siç ka qenë karshi z.Haradinaj. Afrimi mund të jetë vetëm në nivel të institucioneve, jo të partive. Shembullin më të mirë e kemi z. Konjufca me z. Cakaj që i kanë arritur veçse disa marrëveshje. Z.Rama do të vazhdojë ta mbajë edhe më tej atë pjesën e liderit ta pakontestueshëm por përballë do ta ketë tanimë z.Kurti”, përfundoi ai.
Shqipëria është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh në fusha të ndryshme.
Nga janari i vitit 2014 të dy qeveritë kanë filluar edhe me takime të përbashkëta ku gjithsej janë realizuar pesë të tilla. Së fundmi në nëntor të vitit 2018 u mbajt një në Pejë, ku u nënshkruan marrëveshje të shumta dhe u dhanë deklarata të mëdha. Madje, Kosova dhe Shqipëria tani e sa vite synojnë ta heqin kufirin mes dy vendeve, me qëllim të lehtësimit të procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave, por kjo ende nuk është jetësuar./FaktePlus