80 persona të vdekur nga koronavirusi
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se koronavirusi s’është punë shumë e madhe, ndonëse 77 persona, përfshirë një këshilltar të tij, kanë vdekur nga ky virus në republikën islamike.
Ai bëri thirrje që iranianët të luten kundër virusit, sepse, sipas tij, lutjet mund t’i zgjidhin shumë probleme, shkruan “Daily Mail”.
Njëri nga këshilltarët e lartë të Khamenei-t, Mohammad Mirmohammadi, vdiq dje në moshën 71-vjeçare në një spital të Teheranit.
“Kjo fatkeqësi nuk është punë aq e madhe dhe ka pasur fatkeqësi më të rënda në të kaluarën”, citohet të ketë deklaruar lideri suprem i Iranit të martën.
“Nuk dëshiroj ta nënvlerësoj këtë problem, natyrisht, por as të mos e mbivlerësojmë atë”, tha ai, duke shtuar se koronavirusi do ta prekë vendin për një kohë dhe më pas do të largohet.
Pavarësisht kësaj deklarate, Khamenei e vuri ushtrinë në gjendje gatishmërie për të qenë në gjendje që të ofrojnë ndihmë në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Ndërsa, zëvendës-kryeparlamentari iranian Abdolrez Mesri, ka njoftuar se 23 deputetë iranianë janë infektuar me coronavirus (COVID-19).
Siç raporton televizioni publik i Iranit, Mesri ka deklaruar se deri më tani 23 deputetë kanë rezultuar pozitiv në testet e coronavirusit
Ai shtoi se ekzistojnë gjasa të mëdha që virusi të jetë përhapur edhe te persona tjerë, pasi që zyrtarët shtetërorë gjatë ditëve të kaluar kanë pasur kontakt me qytetarë.
“Këshillojmë deputetët që të ndërpresin çfarëdo takimi që kanë pasur në plan ta realizojnë me qytetarë, kjo për faktin se duhet luftuar përhapja e virusit”, tha Mesri.
Në Iran deri më tani kanë humbur jetën 66 persona si rezultat i coronavirusit, derisa numri i infektuarve është rritur në 1.501.