Shkarkimi i ambasadorëve, Konjufca godet fort PDK-në e ruan LDK-në
Qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti me të marrë detyrën edhe ka filluar shkarkimin e disa bordeve drejtuese në ndërmarrje publike në vend.
Hapin e njëjtë po e ndjekin edhe vartësit e tij, respektivisht disa nga ministrat e Kurtit.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca sot propozoi tërheqjen nga misioni të shtatë ambasadorëve.
Sipas tij, ata e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar të paraparë sipas ligjeve të Kosovës.
“Duke u bazuar në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 13 të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr 46/15 janar 2009) dhe bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm dhe me qëllim të respektimit të nenit 7,7 të Ligjit Nr.03/L-207 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës,( GZ.76, 10 gusht 2010), në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga misioni të ambasadorëve politik “, shkroi ai.
Por kush janë ambasadorët që Konjufca kërkoi largimin e tyre
Shumica e ambasadorëve, që ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka kërkuar të kthehen nga misionet e tyre diplomatike kanë pasur të kalur politike. Shumë nga ta madje kanë qenë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe njerëz të afërt të presidentit Hashim Thaçi.
Vlora Çitaku aktualisht ambasadore në SHBA, më herët ka qenë ministre e Integrimit Europian nga PDK-ja. Ajo po ashtu ishte edhe deputete e kësaj partie.
Ajo po ashtu ishte anëtare e Kryesisë së PDK-së, në të cilën u anëtarësua që nga zanafilla e saj ne vitin 1999. Më herët ishte zëdhënëse e partisë, këshilltare për media si dhe zyrtare ndërlidhëse me bashkësinë ndërkombëtare.
LEXO EDHE: Këta janë ambasadorët që ministri Konjufca propozoi të shkarkohen (FOTO)
Ramadan Avdiu aktualisht konsull i përgjithshëm, ambasador Gjenevë. Ramadan Avdiu, ishte edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe zevëndësministër i Financave. Avdiu ndër të tjera ishte po ashtu edhe deputet i kësaj partie.
Ylber Hysa, ambasador në Mal të Zi, karriera diplomatike e të cilit ka nisur në vitin 2012, kur ishte emëruar ambasador i shtetit tonë në Maqedoni.
Në periudhën 2004-2007 ka qenë deputet i partisë ORA në Kuvendin e Kosovës, pastaj pjesëtar i Grupit Negociator Kosovar gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë, si dhe koordinator i Qeverisë për Veriun, ndërsa gjatë viteve të 1990-ta ka kontribuar në shoqërinë civile dhe në media.
Është autor i librit me ese historiografike “Shqiptarët dhe të tjerët: nga Madona e Zezë deri te Molla e Kuqe”.
Për të njejtin, ishte raportuart se ka lidhje të afërta me Partinë Demokratike të Kosovës.
Mimoza Ahmetaj, aktualisht ambasadore e Kosovës në Bruksel. Ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kur është shpallur Pavarësia. Ka lindur më 01.10.1971 dhe është Doktore e Stomatologjisë, specialiste e ortodoncisë. Ishte ministre e Integrimit Evropian dhe Ambasadore e Republikës së Kosovës në disa shtete.
Lirim Grajçevci, aktualisht ambasador në Holandë, ishte më herët anëtar i partisë PDK, dhe njeri i afërt i presidentit Hashim Thaçi.
Shpend Kallaba– Aktualisht ambasador i Republikës së Kosovës në Budapest. Karriera e tij aktive politike filloi gjatë periudhës 2006-2010, si Shef i Kabinetit dhe Protokolit në zyrën e z. Behgjet Pacolli – kryetar i partisë politike të Aleancës së Re të Kosovës. Për të nuk është raportuar ndonjëherë se ka qenë pjesë e PDK-së.
Edon Cana, aktualisht ambasador në Bullgari. Më parë ka pasur gradën e ‘Ministrit Këshilltar” në Ambasadën e Kosovës në Francë, gjegjësisht në Konsullatën e Kosovës në Strasburg.
Ai po ashtu është njeri i afërt me presidentin Thaçi si dhe është dhëndër i Vlora Çitakut.
Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, duket se nuk ka guxuar të propozojë tërheqjen e asnjërit prej ambasadorëve të LDK-së, të cilët janë të emëruar politikë.
Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatçiu, e cila mori pozitën si e emëruar politike në të njëjtën kohë me Vlora Çitakun në Washington, nuk është pjesë e listës së emrave të publikuar sot përmes Facebookut nga Konjufca, ku propozohet kthimi i tyre në vend.
Pjesë e listës së ambasadorëve të LDK-së, të cilët nuk janë propozuar të kthehen nga Konjufca janë edhe Ambasadori në Senegal, Ramadan Gashi, si dhe Sami Ukelli, Ambasador në Zvicër, Shkëndije Sherifi në Suedi, Nazane Breca që zyrtarisht ende është ambasadore në Zvicër për shkak se nuk e ka përfillur vendimin për kthim, si dhe Fitim Gllareva në Greqi.
Siç shihet nga kjo listë që Konjufca e publikoi në Facebook, të gjithë ambasadorët të cilët ka kërkuar të tërhiqen janë të emëruar politikë nga PDK-ja, të cilëve duket që Konjufca u është vënë pas për t’u konfrontuar me Presidencën dhe opozitën./FaktePlus