Rudari i LDK-së: LVV e PDK mund të garojnë vetëm për vendin e dytë dhe të tretë
Komuna e Podujevës sot edhe zyrtarisht ka filluar fushatën dhjetë ditore për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 15 mars.
Kështu pas më shumë se një dekade Komuna e Podujevës do të ketë një kryetar të ri.
Agim Veliu që ka drejtuar ketë komunë për rreth tri mandate është larguar prej atje pasi është bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e re.
Në vend të tij tash pritet të ulet një kryetar tjetër, i cili do të zgjidhet me votat e qytetarëve të kësaj komune.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kandiduar për kryetar të kësaj komune, Nexhmi Rudarin, i cili në kohën e kryetarit Agim Veliu ka qenë nënkryetar i Komunës së Podujevës.
Ndërsa, sot kur edhe zyrtarisht ka filluar fushata për këto zgjedhje, Rudari në një deklaratë për FaktePlus, ka bërë të ditur se tashmë fushata ka filluar që nga mesnata.
Ai ka thënë se buxheti dhe projektet për vitin 2020 për këtë komunë janë caktuar dhe të gjitha projektet janë detajuar.
“Ne për vitin 2020 buxhetin e kemi të miratuar dhe me këtë buxhet i kemi të detajuar të gjitha projektet me kosto, me kohën dhe gjithçka tjetër”, ka thënë Rudari për FaktePlus.
Rudari, ka thënë se Komuna e Podujevës është e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se askush nuk mund të qeverisë me këtë komunë pos LDK-së.
“Sa i përket porosive, unë nuk kam ndonjë porosi të veçantë për asnjërin kandidat por ata duhet të garojnë se cili do të jetë I dyti dhe i treti, përndryshe për vendin e parë nuk kanë çka garojnë sepse këtu LDK-ja ka fituar gjithmonë, është tash dhe do të vazhdon të mbetet. Absolutisht jam i bindur që LDK-ja do të fitojë, ata do të garojnë vetëm për vendin e dytë e jo për vendin e parë”, ka deklaruar Rudari.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në komunën e Podujevës, LDK-ja kishte fituar me një diferencë të vogël nga Lëvizja Vetëvendosje.
LDK në këtë komunë kishte fituar 38.60 për qind apo 12 mijë e 877 vota, duke e lënë pas Lëvizjen Vetëvendosje me vetëm 2000 mijë vota më pak.
Ish- kryetari Veliu ka qenë kryetar i Komunës së Podujevës në vitet 2010-3013, 2014-2017 dhe 2017-2020.
Gjatë vitit 2000-2002 dhe 2002-2004 Agim Veliu ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal të Podujevës.
Kurse për tri vite nga viti 2004-2007, Veliu ka udhëhequr me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Aktualisht Veliu përveç si ministër mban edhe pozitën e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Në zgjedhjet lokale në Podujevë do të garojnë tri subjekte politike Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidat ka Nexhmi Rudarin, PDK-ja e ka Naim Fetahun dhe Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqin./FaktePlus