“Let’s Do It Kosova” kërkon formimin e policisë mjedisore
Organizata “Let’s Do It Kosova” përmes një komunikate për media ka shfaqur shqetësimin për zhvillimet e fundit në fushën e mjedisit, me theks të veçantë në rrethinën e Gjilanit, prej nga u raportua për djegie të gomave e mbeturinave dhe u publikuan shembuj të ndotjes së lumenjve.
Gjatë ditës së diel u raportua për djegien e gomave e mbeturinave në Gjilan dhe nëpër medie sociale qarkulloi një video në të cilën dëshmohet ndotja e lumit të qytetit në fshatin Pasjak. Po ashtu banorët e fshatit Kmetovc, u ankuan që një gropë, nga deponia për mbeturina interne po shfrytëzohet edhe për mbeturina të tjera.
Dëshmi për ndotje të ambientit u pasqyruan në një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën, punëtorët e një restaurant në Brezovicë, shihen duke hedhur mbeturina në pyll.
“Let’s Do It Kosova” bën thirrje tek institucionet gjegjëse dhe qytetarët e vendit për mbrojtje të mjedisit. Duke qenë se ngjarjet e fundit janë zhvilluar kryesisht gjatë fundjavës, organizata u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe inspektorëve për angazhim shtesë në këto ditë.
“Let’s Do It Kosova” po ashtu përsërit urgjencën për shqyrtimin e mundësisë për formimin e Policisë Mjedisore, kërkesë kjo që është shtruar nga organizata tash e disa vite.
“Let’s Do It Kosova” është organizatë që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, organizimin e qytetarëve për adresimin e problemeve dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet të ndryshme, përfshirë aksione të pastrimit, fushata vetëdijesuese dhe aktivitete tjera vullnetare. Organizata, e cila është pjesë e lëvizjes globale “Let’s Do it World”, e pranishme në 157 shtete anembanë botës, po ashtu punon edhe në fushata avokuese për të ndikuar tek vendimarrësit për zgjidhje të çështjeve mjedisore.