Veseli: Taksa mundet me të rrëzu, unë e mbështes suspendimin e saj
Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, e ka nisur fjalën e tij në Kuvend duke thënë se kryeministri Albin Kurti është i rrëzikshëm për shtetin e Kosovës. Ai tutje ka rikujtuar propozimin që e ka bërë një vit më parë për suspendimin e tarifës ndaj Serbisë. Veseli thotë se atëherë askush nuk e përkrahte, e tash Vetëvendosje e LDK’ja, po bëjnë propozime të ngjashme.
“Ky njëri paraqet rrezik për Kosovën. Kjo sallë është trashëgimi nga federata. A flitet si për federatën jugosllave. Kryeminisër kanë ndërru senet, duhet të sillesh si kryeministër i Republikës së Kosovës. Me Serbinë duhet me u nda sa më shpejt. Çka ke nxjerrë këtu fjalë o Kryeministër, ma shumë kanë qenë si një nëpunës doganor. Me Serbinë kurrë s’kemi mundur të dialogojmë njerëzishëm”, nisi fjalimin e tij kreu i opozitës, për të folur pastaj për propozimin e tij të dikurshëm në lidhje me tarifën ndaj produkteve serbe.
“I ke rrotullu kamionat, e tash i ke bindur Klubin e Prodhuesve Vendor sikur kjo është në rregull”, i ka Veseli kryeministrit Albin Kurti.
Kreu i PDK’së thotë se ai ka propozuar më herët që të suspendohet tarifa e të vazhdonte dialogu.
“Unë kam propozuar për suspendim të taksës. Nëse nuk do të arrihej marrëveshja, do të rikthehej taksa dhe do të vendosej reciprociteti si masë mbrojtëse. Edhe atëherë SHBA’ja kërkonte të hiqet”, u shpreh ai.
Sipas Veselit, nëse do të përkrahej propozimi i tij, Kosova tash do të ecte përpara në arenën ndërkombëtare.
“Askush në këtë sallë, asnjë parti nuk e pati përkrahur këtë propozim timin”
“Për shkak të kalkulimeve për pushtet, njësoj pati ndodhur edhe me demarkacionin. Sot një cit pas LVV’ja dhe LDK’ja po e kërkojnë pothuajse të njëjtën që e kisha propozuar unë. Pse ky ndyshim tash?”, ka shtuar ai.
Veseli e krahason situatën e krijuar për shkak të tarifës me atë kur po kërkohej ratifikimi i marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi.
“Në opozitë ia vunë flakën vendit, në pushtet po tregohen gjëja. Edhe kjo Qeveri mund të bie pikërisht për shkak të taksës”, u shpreh ai.
“Para një viti kam propozuar suspendimin e taksës. Edhe sot kur jam në opozitë, e kemi të njëjtën qëndrim. Nuk e kam ndërmend të ndryshojë, pavarësisht se a jam në pushtet apo në opozitë”, ka shtuar Veseli.
Veseli thotë se është rrezik për Kosovën që Kurti është i lëkundur në qëndrimet e tij.
“Është rrezik sepse Kosova me një kryeministër të paqendrueshëm, mund ta humbë edhe atë që e ka arritur deri tash”, ka thënë ai.