Zbulohet çmimi i statujës së Majlinda Kelmendit
Gazeta prestigjioze amerikane, New York Times, ka zbuluar se statuja e Majlinda Kelmendit, e cila u përurua të premten dhe u vendos në Pejë, kushtoi rreth 200 mijë euro.
Kampiones së vetme Olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendit, iu përurua dje, të premten, në Pejë shtatorja e saj, e ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, falë sukseseve të saj në arenën globale në këtë sport, raporton Gazeta Express.
Sipas New York TImes, statuja ka kushtuar rreth 200 mijë euro dhe është ndërtuar nga dy artistë amerikanë të “US Statues for Equality”, Gillie dhe Marc.
Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa për lokacionin e saj ishte diskutuar shumë, pasi që trajneri Driton Kuka ishte ankuar pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje për ta vendosur atë në kryeqytet.
Gjatë fjalimit të saj, Kelmendi u shpreh e emocionuar.
“Sot është një ditë historike jo vetëm për juve. Ashtu si po e përjetoni ju, unë jam duke e përjetuar edhe dy herë më shumë. Kam shumë emocione, faleminderit shumë që keni ardhur”, tha Kelmendi.
“Shumë njerëz më kanë pyetur a duhej të ishte vendosur statuja në Prishtinë, por mendoj se është më mirë që është këtu në Pejë, ku kam lindur dhe e kam filluar karrierën”.
“Besoj se kjo statujë do t’i motivojë shumë fëmijët në Kosovë dhe do t’i bindë që edhe ata mund të arrijnë suksese si unë. Gjithçka që kam arritur, unë kam filluar prej këtij vendi të vogël dhe i kam arritur majat botërore. Faleminderit shumë”. /FaktePlus