Inicohet suspendimi i disa zyrtarëve policorë në Zubin Potok
Policia e Kosovës ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin Potok, ka inicuar suspendimin nga puna pasi që , gjatë inspektimeve nga komisioni inspektues, në përbërje prej pesë anëtarëve të autorizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë- Mitrovicë Veri, janë hasur parregullsi.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, në zbatim të Planit Vjetor të Punës, pos të tjerave realizon edhe inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Më 27.02.2020, ka filluar realizimi i inspektimit në Drejtorinë Rajonale Policore (DRP) Mitrovicë Veri, konkretisht në Stacionin Policor (SP) Zubin Potok.
Në ‘Dhomën e dëshmive” të SP Zubin Potok, gjatë inspektimeve nga komisioni inspektues, në përbërje prej pesë anëtarëve të autorizuar nga DRP Mitrovicë Veri, janë hasur parregullsi.
Komisioni inspektues, bazuar në të gjeturat e deritanishme, ka vlerësuar se ka elemente të mundshme të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe menjëherë përmes mekanizmave zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin Potok, sipas procedurave të parapara disiplinore është iniciuar suspendimi nga niveli lokal, përderisa IPK dhe Prokuroria Themelore janë njoftuar për veprimet e ndërmarra.
Njësitet policore në bashkëpunim me IPK-në, me autorizim të prokurorit kompetent, sot me datën 28.02.2020 kanë realizuar një kontroll në shtëpinë e zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’. Kurse, inspektimi i detajuar i ‘Dhomës së dëshmive’ do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në nxjerrjen e konstatimeve të sakta dhe të plota lidhur me rastin.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente do të vazhdojë të kryejë inspektime dhe hetime lidhur me rastin, për të cilin do t’iu mbajë të informuar./FaktePlus