Zyrtari i LDK-së, Kurtit e Osmanit: Mos mashtroni me popullizëm, hiqeni taksën
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të heqin taksën pa vendosur reciprocitet.
Hyseni ka kritikuar veprimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti që u përkrahën edhe nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke thënë se dështimet në rrafshin e partneritetit strategjik me SHBA-të, NATO-në dhe BE-në nuk i falen askujt.
“Krekosjet dhe thirrjet këtu në vota dhe manipulimi me popullizëm është mashtrim”, thotë ai, përmes një shkrimi të bërë në Facebook.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike shton po të ishte gjallë presidenti Ibrahim Rugova, nuk do të besonte se Kosova është në një stad politik ku po kontestohen këshillat dhe sygjerimet e Amerikës.
“Synimet dhe objektivat madhorë të shtetit tonë nuk arrihen me politika infantile, me manovra revolucionare të zbulimit të ‘tradhtareve’ midis nesh, me bërje publike të komunikimit të ndjeshëm zyrtar midis autoriteteve të vendit me autoritetet më të larta të NATO-s, duke shkelur kështu çdo parim elementar të diskrecionit diplomatik. Mbështetja dhe partneriteti me SHBA-të, është mbi të gjitha. Duhet pa rezervë t’i japim mbështetje Agjendës së Administratës Amerikane, të përfaqësuar nga Emisari Special për bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, Ambasadorit Grenell, e cila synon ta përmbyllë kontestin shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Politikës kosovare, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, si rrallëherë më parë i duhet maturi, mençuri, kujdes por edhe vizion për të qenë së bashku në këtë interesin jetik që sërish lidhë Kosovën dhe SHBA-në, ashtu siç ka qenë rasti në vitet e luftës dhe në vitet e pavarësisë”, ka shkruar ai.