Veliu e Vitia shprehen të gatshëm për t’u ballafaquar me koronavirusin
Ndonëse ende s’është paraqitur asnjë rast pozitiv në Kosovë prej koronavirusit, ministri i MPBAP Agim Veliu dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë shprehur të gatshëm për t’u ballafaquar nëse ka ndonjë rast.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti në takim ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadanin, me të cilët diskutuan aktivitetet për menaxhimin e situatës lidhur me Koronavirusin.
Siç njofton kumtesa për media, Vitia i bëri të ditur ministrit Veliu, angazhimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave për një situatë të re të mundshme epidemiologjike, që ka përfshirë disa vende të botës dhe që potencialisht edhe vendi ynë mund të preket.
Vitia theksoi se Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar IKSHPK-në që të mobilizojë të gjithë kapacitetet profesionale në menaxhimin e kësaj situate, megjithatë ai theksoi se për këtë është e nevojshme një gjithë përfshirje institucionale dhe ndihma e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për të menaxhuar çfarëdo situate që mund të ballafaqohemi në të ardhmen.
Ndërsa ministri i MPBAP-së, Agim Veliu, theksoi përkushtimin e tij se të gjitha kapacitetet institucionale që ka kjo Ministri, do të vihen në dispozicion për të menaxhuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të paraqitet. Ai tha se institucionet e sigurisë do të jenë të gatshme dhe në funksion të shtetit për çfarëdo nevoje që kërkohet, në mënyrë që situata të kontrollohet nga të gjitha mekanizmat e shtetit si tërësi.
Të dy ministrat vlerësuan se situata për momentin është stabile dhe deri më tani asnjë qytetarë i Kosovës nuk është prekur nga ky virus, prandaj nuk ka nevojë për panik. Megjithatë është e rëndësishme që të ndiqen udhëzimet nga IKSHPK-ja, për kujdes në mënyrë që ky virus të mos bartet edhe në Kosovë.