Dënimi me burg i Agim Ademit – Kosova rrezikon të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka treguar suksese të mëdha që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, më saktësisht që nga ardhja e trajnerit Bernard Challandes, me të cilin Kosova ka zhvilluar ndeshje të nivelit të lartë. Por, dënimi me burg efektiv për kreun e FFK-së, Agim Ademi, mund të dëmtojë Kosovën. Madje, Kosova rrezikon edhe të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA, nëse tashmë i dënuari Agim Ademi nuk jep dorëheqje nga posti drejtues në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Suksesi i ekipit tonë në arenën ndërkombëtare u paraqit nga shumë medie botërore, duke e cilësuar Kosovën si një përfaqësuese me një potencial të madh dhe një të ardhme te ndritshme, duke pasur parasysh kualitetin e futbollistëve dhe moshën e tyre, si një prej përfaqësueseve më të reja në Evropë.
Por, ajo çfarë është shqetësuese në këtë periudhë të mirë që po kalon Kosova, është fakti se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, tashmë është i dënuar më burg efektiv prej 9 muajsh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dënim ky që është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Dënimi erdhi pasi është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e disa veprave penale, respektivisht Ademi në gjyq është përballur me akuzat për veprat penale të detyrimit e ushtrimit të ndikimit, si dhe kërcënim me vdekje të një personi.
Situatë kaotike, Kosova rrezikon të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA
Madje, Kosova rrezikon edhe të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA, nëse tashmë i dënuari Agim Ademi nuk jep dorëheqje nga posti drejtues në Federatën e Futbollit të Kosovës.
E dënimi me burg efektiv për kreun e FFK-së mund të dëmtojë Kosovën.
Nëse Agim Ademi reziston edhe më tutje pas dënimit me burg dhe nuk jep dorëheqje, gjë e cila është e obligueshme sipas kodit etik të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe statutit të FFK-së, atëherë rrezikohet seriozisht ndëshkimi i FFK-së nga këto dy të fundit.
Kjo situatë mund të ketë pasoja të mëdha para lojës së Kombëtares sonë me Maqedoninë e Veriut, ku për shkak të ndëshkimit futbolli kosovar mund të humb mundësinë e kualifikimit në EURO 2020.
Platini dhe Blatter u detyruan të largohen, Ademi kundër evropianëve
FIFA dhe UEFA i kushtojnë shumë rëndësi respektimit të Statutit, Ligjit, Kodit Etik dhe kredibilitetit të futbollit, e pikërisht për këto çështje vite më parë ka pasur edhe dorëheqje nga pozitat udhëheqëse të atyre që kishin probleme me drejtësinë.
Duhet përmendur se në raste të tilla nëpër vendet e Evropës, nëse ndonjë drejtues i institucioneve të sportit ka përballje të tilla me organet e drejtësisë edhe largohen nga postet drejtuese.
Një rast të tillë e kanë pasur edhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini dhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, të cilët vetëm pas akuzave për kryerjen e veprave të ndryshme u detyruan të largohen nga drejtimi i organizatave më të larta të futbollit botëror.
Madje Reinhard Grindell – president i Federatës Gjermane gjithashtu kishte dhënë dorëheqje në prill të 2019-ës, për shkak se e kishte marrë si dhuratë një orë dore nga një biznesmen ukrainas.
57- vjeçari ishte larguar edhe nga posti i nënkryetarit të UEFA-s dhe nga këshilli i FIFA-s, poste këto të cilat mund t’i mbante sepse nuk e sanksiononin aktet ligjore, por që kishte zgjedhur që jepte dorëheqje morale edhe nga këto pozita.
Por, njëjtë nuk po vepron edhe Agim Ademi, si pasojë e të cilit mund të pasojnë dënime nga federatat e futbollit ndërkombëtarë për Kosovën.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe në adresë të FIFA-s dhe UEFA-s, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.
Sido qoftë, tani pasi dënimi me burg efektiv është konfirmuar nga Gjykata e Apelit për Agim Ademin, nuk do të duhej lejuar të cenohet kredibiliteti i futbollit të Kosovës, i cili ka krijuar imazh pozitiv në botë.
Çdo kush e në këtë rast edhe Agim Ademi duhet ta kuptojë që ai është përgjegjës për veprimet e tij dhe si pasojë e tij nuk është mirë të ndëshkohen edhe futbollistët e Kosovës.
FFK nuk guxon të ndëshkohet për shkak të veprave të Agim Ademi, koha e tij në futbollin e Kosovës ka përfunduar në momentin që është shpallur fajtor për veprat penale kërcënim dhe zhvatje.
Agim Ademi akuzohet se ka kërcënuar për vdekje një person
Kujtojmë se kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është përballur në gjyq me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Aktakuza përbëhet nga dy pika.
Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.
Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”./FaktePlus