Albin Kurti i kthen përgjigje SHBA-së: Nuk e heqim taksën, priten pasoja të mëdha
SHBA’ja pritet të merr masa. Vetëm tërheqja e njohjes nuk është opsion. Ata janë të dëshpëruar edhe me LDK’në.
Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer përgjigje negative kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe. Kësisoj priten pasoja të mëdha për Kosovën .
Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, Shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga Qeveria e Albin Kurtit.
Siç mësohet, Kurti tashmë u është përgjigjur amerikanëve negativisht.
SHBA’ja planifikon të merr masa, ndërsa vetëm tërheqja e njohjes nuk është një nga opsionet për “ndëshkim”. Nuk dihet saktësisht se cka që do të ndërmarrë Amerika, megjithatë suspendimi i investimeve dhe aktiviteteve tjera që ndihmojnë Kosovën për 20 vjet, mund të jetë disa nga masat.
Gjithashtu mësohet se SHBA’ja është e dëshpëruar me LDK’në, e cila nuk çoi përpara zotimet për dakordim dhe bashkërenditje me SHBA’në në çështjen e heqjes së tarifës.
Kryeministrit Kurti i kanë kërkuar heqjen e tarifës shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Kërkesa të njëpasnjëshme ka bërë edhe emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi, i cili është emëruar edhe ushtrues detyre i shefit të 17 agjencive të inteligjencës në SHBA.