Ahmeti “mbron” Thaçin: S’është marrëveshje ndërkombëtare
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar marrëveshjen “sekrete” të presidentit Hashim Thaçi, të publikuar të mërkurën nga kryeministri aktual Albin Kurti,
“Nuk po i përcjelli, me shumë jam i përkushtuar të merrem me projektet e komunës se sa të merrem me marrëveshje të vitit 2013, letër këmbime apo jo. Besoj që të gjitha partitë politike kanë potencuar se bashkëpunimi jonë në NATO nuk vihet në pikëpyetje”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
“Kushtetuta thotë se çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohet, andaj kjo nuk është marrëveshje ndërkombëtare më shumë e kishë konsideruar si zotim. Ka tema tjera që do të mund të gjejnë gjëra për veprimet e Thaçit se sa kjo”.
Kurti ka sqaruar dje se ka njoftuar kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani për marrëveshjen “sekrete” të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, presidentit aktual.
Ai në një konferencë për media, ka deklaruar se presidenti Thaçi, sa ishte në krye të Qeverisë e ka fshehur marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në vitin 2013.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet e mundshme kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill të vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në letrën e Kurtit drejtuar Osmanit thuhet se “përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”.
Kurti ka deklaruar se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit “ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 (Bartja e Sovranitetit), nenin 18 (Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare) dhe nenin 91 (Shkarkimi i Presidentit)”.