Pas një debati të ashpër burri vret gruan
Pas një debati të ashpër mes dy bashkëshortëve, 63-vjeçari Ruzhdi Tosuni vrau duke e goditur disa herë me një levë hekuri bashkëshorten e tij 59-vjeçare, Hajdien, nënë e tre fëmijëve.
Ngjarja ndodhi në dyqanin e metrazheve që mban emrin e autorit, pranë pallatit të sportit në Durrës.
Autori ka përdorur një levë hekuri për të goditur gruan e cila nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Pas vrasjes, autori ka ulur qepenin e dyqanit dhe ka pritur mbërritjen e policisë duke pranuar krimin e rëndë. Pak pas krimit, në vendngjarje ka mbërritur dhe një nga vajzat e çiftit Tosuni.
Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se bashkëshortët se ishin në konflikt prej kohësh me njëri-tjetrin. Flitet se çifti ishte në konflikt për shkak të borxheve dhe një marrëdhënieje jashtëmartesore që kishte autori.
Për të mbuluar borxhet kërkohej shitja e dyqanit që e ka acaruar më tej konfliktin mes tyre deri në vrasje.
Por priten hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe motivet e vërteta të këtij krimi të rëndë në familje. Dhuna në familje mbetet një problem tepër shqetësues në Durrës. Në fillim të këtij muaji një tjetër grua humbi jetën e vrarë nga bashkëshorti në Xhafzotaj.