Në Banjë të Malishevës qytetarët duan që rruga “Hamëz Jashari” të quhet “Çeliku”
Dy rrugë të ndryshme janë kryesore në lagjen “Limaj” në Banjë të Malishevës.
Por në lagjen e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, ku janë rreth 70 shtëpi, po planifikohet të ndryshohet emri i rrugës “Hamëz Jashari”.
Kjo rrugë, e cila mban emrin e heroit kombëtar, Hamëz Jashari, pritet të ndërrohet në “Çeliku”, që është nofka e Limajt gjatë luftës.
Propozimin për ndërrimin e këtij emërtimi e kishte bërë ish-përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Sefer Limaj.
Por, përfaqësuesi i tanishëm i lagjes, Hamit Limaj, thotë se ata nuk janë në dijeni për heqjen e emrit të Hamëz Jasharit.
Megjithëkëtë, propozimi që kjo rrugë ta mbajë emrin “Çeliku” tashmë është aprovuar bashkë me shumë ndryshime të tjera dhe komisioni përgjegjës pritet që listën t’ia dërgojë për miratim Asamblesë komunale.
E njëri nga anëtarët e këtij komisioni dhe njëherësh asamblisti i Vetëvendosjes, Bashkim Krasniqi, thotë se në këtë rast u shkelën kriteret mbi emërtimin e rrugëve.
Për këtë, televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Fatmir Limaj, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.
Udhëzimi Administrativ për caktimin e adresave për zona publike dhe prona private parasheh që emrat e rrugëve duhet të jenë të individëve, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar në fushë të artit, historisë, shkencës, heronjtë e luftës etj.