Sot Pompeo e pret Thaçin në Uashington, por e kishte refuzuar Kurtin në Mynih
Presidenti Hashim Thaçi sot do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke shënuar takimin më të rëndësishëm gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar se ai do ta presë sot në takim presidentin Hashim Thaçi.
Në agjendën mediale të publikuar nga Zyra e Pompeos, thuhet se takimi do të mbahet në Departmentin e Shtetit.
“Në orën 1 pas dite [ora 19 :00 sipas kohës lokale në Prishtinë] Sekretari Pompeo takon presidentin e Kosovës, Hashim Thacin në Departamentin e Shtetit”.
Thaci, i cili po qëndron në Uashtington, ka paralajmëruar sot takime të rëndësishme.
Sekretari Pompeo dy javë më parë mori pjesë në konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih.
Burimet e Gazetës Express kishin treguar se ai dhe zyrtarët e lartë amerikanë po refuzonin të takonin kryeministrin Albin Kurti, për shkak të mosheqjes së tarifës ndaj produkteve serbe e boshnjake.
Vetë Pompeo, në urimin që i ka dërguar Kurtit kur u zgjodh kryeministër i Kosovës, i ka kërkuar atij që menjëherë të heqë tarifat.