Si Kryeministër Mustafa ia kishte konfirmuar NATO’s zotimin e Thaçit për FSK’në
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar sot që t’iu përgjigjet gazetarëve, në pyetjen se a e di nëse kryeministrat para tij kanë qenë në dijeni për marrëveshjen me NATO-në rreth lëvizjen e FSK’së në veri të territorit të Republikës së Kosovës. Kurti ka thënë se për këtë gjë është më mirë të pyeten ata.
Për këtë çështje kishte folur në vitin 2015, Isa Mustafa, atë kohë drejtues i qeverisë se Kosovës e sot kryetar i partisë partnere të Kurtit në bashkëqeverisje.
Mustafa e kishte pranuar atë kohë se ka pajtueshmëri me NATO-në që FSK’ja të mos shkojë në veri të Kosovës pas marrëveshje.
“Është një pajtueshmëri me Aleancën Veri-Atlantike që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Në çdo rast kur duhet të shkohet, kjo duhet të bëhet në pajtueshmëri me ta. NATO-ja nuk ka asgjë kundër që ne të themelojmë Forcat e Armatosura, por çdo gjë të bëhet në pajtueshmëri”, kishte deklaruar Isa Mustafa më 1 prill të vitit 2015, teksa kishte folur për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Kurti në një konferencë të organizuar sot po pretendon se marrëveshja për lëvizjen e FSK’së në veri të Kosovës e nënshkruar nga ish-kryeministri Thaçi, tashmë president, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, atë kohë Andres Von Rasmussen, është mbajtur sekrete.
Sipas kreut të LVV’së në prillin e 2013-ës në Bruksel ishin nënshkruar dy marrëveshje. Ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e cila edhe është sjell për miratim në Kuvend, ndërkohë për marrëveshjen me NATO-në thotë se është mbajtur sekrete.
Sipas tij me një gjë të tillë duhet të merren organet e drejtësisë, derisa ka njoftuar se po përgatit edhe procedurat për ta shkarkuar Thaçin, pasi që në opinionin e Zyrës Ligjore të kryeministrisë konstatohet se ka bazë të mjaftueshme për të provuar se Thaçi ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës kur ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.