Haki Abazi flet për marrëdhëniet e Qeverisë Kurti me Amerikën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, është i vetmi që është deklaruar pas komenteve që pasuan qëndrimet e shefit të tij, Albin Kurtit, lidhur me letrat që ka këmbyer ish-kryeministri Hashim Thaçi me ish-shefin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Abazi thotë se Qeveria Kurti nuk do ta vë në pikëpyetje rreshtimin krah Perëndimit, shkruan Reporteri.net.
“Partneriteti i Kosovës me NATO-n, BE dhe SHBA, si dhe rreshtimi ynë kombëtar i padiskutueshëm me perëndimin, kurrë nuk do të vihet në pikëpyetje- qeveria Kurti do të avancoj drejt realizimit të plotë te aspiratave integruese. Ne jemi të vendosur që Kosova të respektoj çdo detyrim e marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit dhe përkushtimit të partneritetit”, ka thënë Abazi.
Mirëpo, siç thotë treshi i Qeverisë, Kurti ka provuar ta vë në pikëpyetje lojalitetin e presidentit aktual ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore.
“Por, çka po vihet në pikëpyetje seriozisht është lojaliteti i presidentit të vendit ndaj interesave kombëtare e shtetërore dhe ndaj kushtetutës mbi të cilën bazohet edhe vetë autoriteti i pozitës së tij. Problemi pra nuk është i politikës së jashtme, por i politikës së brendshme bazuar në mendësinë e vjeter( para 6 tetorit 2019)-Refuzimi për koordinim dhe respektim të vullnetit qytetar”, ka shtuar ai.
Ndryshe, shefi i Abazit, Albin Kurti, ka insistuar në konferencë për media se tash presidenti Thaçi, gjatë kohës sa ishte kryeministër, ka shkelur Kushtetutën kur ka bërë marrëveshje të tillë me NATO-n.