Punëtorët në panik nga zvogëlimi i ministrive, fillojnë ankesat e para
Zvogëlimi i numrit të ministrive, nga 21 sa kishte qeveria e kaluar në 15 ministri sa ka qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti, ka rritur shqetësimet e punëtorëve, respektivisht shërbyesve civilë dhe sindikatës që përfaqëson ata.
Ana pozitive e shkurtimeve të numrit të ministrive, sipas qeverisë është kursimi i buxhetit, por ana negative e këtyre shkurtimeve, sipas punonjësve në administratën publike mund të jetë humbja e vendeve të punës për shumë të punësuar, shkruan FaktePlus.
Por, pavarësisht këtyre shqetësimeve Qeveria Kurti ende nuk ka treguar se si do t’i risistemojë shërbyesit civil të cilët kanë punuar në ministri të cilët kanë kaluar në kuadër të ministrive të tjera.
Madje, tashmë në Sindikatën e Shërbyesve Civil kanë filluar të pranojnë edhe ankesat e para nga shërbyesit civil të cilët kanë frikë se çka do të ndodhë me ta.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, vetë kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi.
Kryesindikalisti Zymberi, ka përmendur edhe hapjen e konkurseve, për të cilët thotë se nuk po shkojnë sipas procedurave.
“Unë tashmë si kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil kam marrë ankesat e para për frikën e asaj se çka do të ndodhë, por ka pas raste kur edhe është shpallur konkurs i ri duke qenë se është udhëheqësi i dikasterit të caktuar duke punuar, por ia kanë shpallur konkursin ja ndërprenë marrëdhënien e punës ose pa e shfuqizu kontratën e udhëheqësit dhe ka pas që në start këso gjërash”, ka thënë ai, për FaktPlus.
Zymberi, tutje ka treguar edhe një rast të shefit të personelit të një ministrie i cili është ankuar në këtë sindikatë.
“Është në rast që unë iu kam drejtuar ministrit të caktuar me ankesën në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur në atë ministri sepse po sa është thënë që kjo ministri do të fuzionohet në ministrinë tjetër atje është shpallë konkursi për shef të personelit, derisa shefi i personelit nuk ka qenë duke punuar. Tash kemi edhe sekretarët permanent, drejtorët e zyreve ligjore, shefat e personeleve dhe një mori të caktuar pizicionesh tjera dhe atyre iu ka shpall menjëherë konkursi dhe zyrtari në fjalë më është anku mua. Ne si sindikatë e kemi obligim ligjor mbi bazën e organizimit të ligjit sindikal dhe kemi reaguar në këtë rast, kemi dërguar ankesën me shkrim ministrit, e kemi njoftu edhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin, Albin Kurtin dhe nëse kthehet përgjigja pozitive mirë, nëse jo atëherë do të jetë rast që do të bëhet e madhe dhe nuk do të lejojmë që të ndodhin këto gjëra’, ka thënë Zymberi.
I, pyetur se për cilën ministri ka punuar ky shef i personelit dhe në cilin ministri është dërguar ankesë, Zymberi nuk ka dashur të jep më shumë detaje, duke thënë se zyrtari në fjalë ka frikë se rrezikohet më tepër, dhe nuk dëshiron njëherë për njëherë ta bëj publike.
“Ndoshta është më mirë të mos e them tash sepse zyrtari mu ka lut që mos ta bëj publike, për shkak që ai pretendon se rrezikohet edhe më tepër, sepse kështu edhe shërbyesit civil janë shkelë duke i mbajtur në sistem të vjerrun në atë kuptimin, janë shkelë edhe në paga, janë shkelë edhe në pozicione shumë herë sepse kanë frikën që iu kthehet bumerang që nëse këta e ngrisin zërin”, ka thënë kryetari Zymberi.
Ndërsa, ka kritikuar Qeverinë Kurti, për shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke thënë se kjo e fundit është ministria më e rëndësishme, pasi që papunësia në Kosovë është e madhe, ndërsa gjendja socio-ekonomike e qytetarëve është shumë e rëndë.
Zymberi shton se ka këtë vlerësim pasi pikërisht ky ka qenë dikasteri, i cili është marrë me këto çështje.
Ndërsa, ka treguar po ashtu se kujt u rrezikohet vendi i punës.
“Tani kemi pozicionet e para që preken e që janë sekretarët permanent që janë shërbyes civil edhe ata. Pozicionet tjera janë drejtorët e zyeve ligjore, udhëheqësit e departamenteve që në shumë raste kanë me u shkri edhe ato departamente se si e kanë menduar këtë Qeveria nuk e di, pasi që as që na ka informu e as që na ka pyet. Unë mendoj se nëse do të duhej që të nxirrej një vendim i mirë, i drejtë edhe në interes të qytetarëve atëherë duhet të merren mendimet, por as nuk na ka marrë mendimin tonë kush se si do të ishte më mirë”, ka thënë Zymberi për FaktePlus.
Ndërkohë që shqetësimet e stafit civil mbesin, në një studim të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara-GAP, është thënë se me zvogëlimin e qeverisë sipas kalkulimeve, buxheti i Kosovës do të kursejë rreth 13 milionë euro për një mandat qeverisës.
Numri i të punësuarve në sektorin publik është rreth 82 mijë persona.
Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018, ishte 573 euro./FaktePlus