Kjo është shuma e parave që kanë vjedhur persona të armatosur në një pompë të derivateve në Prishtinë
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në Prishtinë më saktësisht.
Grabitja e armatosur ka ndodhur në një nga pikat e derivateve të kompanisë “Shell” në kryeqytet.
Rastin e ka konfirmuar, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Ka ndodhur një grabitje e armatosur në pompën e derivateve ‘Shell’. Të dyshuarit kanë arritur t’i vjedhin 400 euro, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Grabitësit janë në arrati dhe nuk janë të identifikuar ende nga policia”, ka thënë Ulaj për reporteri.net.
Ajo ka shtuar se Prokurori i Departamentit të krimeve të rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime për ndriçimin e rastit.
Reporteri.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se do të na përgjigjet pak më vonë për rastin në fjalë.