Stafi civil kërkon shfuqizimin e Rregullores për organizimin e vendeve të punës në MASHTI
Shfuqizim të menjëhershëm të Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Arsimit, po i kërkojnë ministres, Hykmete Bajrami drejtorë të departamenteve e divizioneve të MASHTI-t, të larguar nga pozitat e tyre në kohën e ish-ministrit, Shyqiri Bytyqi.
Kjo pasi po e konsiderojnë se ky dokument ka qenë i jashtëligjshëm dhe brenda një viti e gjysmë ka shkaktuar kaos në MASHTI.
Në tetor të vitit 2018, me pretendimin se po sjellin reforma, MASHTI duke u thirrur në këtë rregullore i largoi 32 drejtorë e udhëheqës divizionesh. Ish-ministri Bytyqi, në vend të të larguarve kishte emëruar persona të tjerë. Për shkak se disa nga të larguarit nga pozitat e tyre bënë ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil (KPMSHCK) dhe ngritën padi ndaj Qeverisë dhe MASHTI-t, procesi i organizimit të vendeve të punës u bllokua.
Që nga ajo kohë e deri më sot, Ministria ishte detyruar t’i paguajë me pagë të njëjtë edhe të larguarit, edhe të emëruarit në ato pozita duke shpenzuar mjete të konsiderueshme financiare.
Dy nga drejtorët e larguar i kanë thënë “Kohës” se për hartimin dhe miratimin e Rregullores nuk ishin respektuar procedurat e nevojshme ligjore. Për këtë vlerësojnë se është i domosdoshëm shfuqizimi i këtij dokumenti.
Ferit Idrizi, i cili prej vitit 2013 ishte drejtor i departamentit të Integrimeve në MASHTI, ka deklaruar se ministrja Bajrami duhet ta dërgojë këtë rregullore në Qeveri dhe ta kthejë në funksion të vjetrën.