Analisti Gjerman: BE-ja drejt politikës së rrezikshme të Mogherinit për dialogun
Miroslav Lajçak është njeriu i gabuar për ta udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi në emër të Brukselit, për shumë arsye, ka thënë Bodo Weber, analist në Këshillin për Politikë dhe Demokratizim në Berlin dhe Bruksel.
Në pritje të zyrtarizimit të diplomatit sllovak si emisar i BE-së për negociatat e ardhshme, Weber ka listuar tri shkaqet që, sipas tij, e bëjnë të padenjë Lajçakun për këtë detyrë. Përveç faktit se sllovaku vjen nga një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Weber thotë se atij i faturohet edhe një “histori dështimesh politike në Ballkan”.
Sipas analistit gjerman, emërimi i Lajçakut do ta çonte BE-në drejt një politike Mogherini 2.0. Të rrezikshëm e konsideron edhe kërkesën e sllovakut për portofol shumë më të gjerë sesa negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Weber ka komentuar edhe për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut me emërimin e një emisari të posaçëm. Sipas tij, angazhimi i Richard Grenellit në tri detyra, të njëjtën kohë, më shumë do t’i shërbejë atij për promovimin e vetvetes.
Sa i përket taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, Weber ka thënë se Qeveria e re do të duhej t’i vendoste kushtet për heqjen e saj, në kontekst të kërkesës së partnerëve evropianë për ta përcaktuar një kornizë negociatash, e cila sqaron se cili do të jetë rezultati dhe qëllimi përfundimtar i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.