Kërkohet që secili shkarkim i Kurtit të ketë bazë ligjore
Qeveria e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur punën me shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake si dhe me shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike.
Nisur nga këto veprime, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ende është duke u analizuar nëse qeveria Kurti po i përfillë edhe procedurat ligjore në këto raste.
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bordin e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës. Vendimi është marrë me propozimin e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari. Ky vendim, sipas ministres ishte i domosdoshëm, pasi siç ka thënë ajo ‘ndërmarrja në fjalë është sjellë buzë falimentimit’.
Kabineti qeveritar i Kosovës po ashtu për shkak të zvogëlimit të numrit të ministrive ka marrë vendim për krijimin e listës së tepricës me sekretarët e përgjithshëm të ministrive që preken nga riorganizimi i Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar edhe shkarkime të tjera, në veçanti të bordeve të ndërmarrjeve publike. Kurse, zëvendësi i parë i tij, Avdullah Hoti ka thënë se ky është vetëm fillimi, duke lënë të nënkuptohet se “operacioni i largimeve” do të vazhdojë.
Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për të marrë një deklaratë nga Qeveria e Kosovës lidhur me atë se cilat procedura po ndjek në rastin e këtyre shkarkimeve, nuk është arritur të merret një përgjigje.
Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ekzistojnë hamendësime lidhur me procedurat që ka përfillur Qeveria Kurti në rastin e shkarkimeve të bëra deri më tani.
Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se zyra ligjore e kryeministrit dhe zyrat ligjore të secilës ministri duhet të kenë kujdes në këto raste, pasi që pasojat për shtetin mund të jenë të mëdha.
“Qeveria po merr vendime të cilat po besoj i ka të bazuar në ligj dhe në rregulloret e punës dhe mbi të gjitha në Ligjin mbi procedurën administrative. Nuk është lehtë të argumentohet ligjërisht përfundimi i punës së dikujt, por gjithsesi në vendet kur ka të emëruar politik është shumë më e lehtë, ndërsa në vendet kur ka të rekrutuar sipas konkursit dhe janë shërbyes civil, duhet të shikohet nëse ligjërisht nuk i kanë plotësuar kushtet dhe është një vendim i ligjshëm për t’i nxjerr nga puna”, tha Spahia.
Në rastin e shkarkimit nga pozita apo largim nga puna duke mos përfillur procedurat ligjore, thotë Spahija, do të mund të ketë vendime masive nga gjykatat në favor të personave të larguar nga puna, e që më pas thotë ai, do të ndikonin në buxhetin e shtetit pasi që ata persona do të kërkojnë dëmshpërblimin.
“Çka do të kisha sugjeruar, do të ishte që e para siç e parasheh edhe procedura, sidomos për shërbyesit civilë, të shkohet më vërejtje, ulje në pagë, suspendim dhe jo menjëherë largim nga puna. Nga ajo që kemi parë deri sot kryesisht kanë qenë pozita apo persona të emëruar. Por, deri më tani nuk kam lexuar se ku e kanë bazuar atë vendim dhe ka një hamendësim”, thotë Spahija.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim që po merret nga qeveria Kurti është me rëndësi që të arsyetohet dhe të fitojë besimin e publikut që këto vendime janë të ligjshme dhe janë të bazuara në procedurë.
“Në çdo rast kur kjo qeveri apo kuvendi që shkarkon bordet të cilat nuk kanë përformuar mirë apo nuk kanë menaxhuar dhe administruar si duhet me pushtetin të cilin e kanë pasur në dispozicion e veçanërisht në ato raste kur ka pasur dyshime për keqpërdorime, sigurisht edhe faktori ndërkombëtar dhe publiku i mirëpret ato vendime”, thotë Miftaraj.
Ai shton se me ndryshimin e pushteteve apo qeverive, si në aspektin e shërbyesve civil, si në aspektin e zyrtarëve publik, mund të fitohet një pasiguri me vendet e tyre të punës, por kjo pasiguri, shton Miftaraj, menaxhohet lehtë nëse vendimet që merren arsyetohen dhe tregohen shkaqet pse kanë ardhur tek këto ndryshime.
Instituti Demokratik i Kosovës do t’i monitorojë ato procese që hynë në fushëveprimin e tyre për të vlerësuar nëse qëllimi i kësaj qeverive ka qenë i mirë dhe nuk ka qenë për të zëvendësuar këto shkarkime të bëra në borde apo diku tjetër me njerëz koalicionit të tashëm qeveritar.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mirëpritur çdo vendim që ka për qëllim kthimin e ligjshmërisë në këto institucione. Ne presim nga qeveria Kurti dhe Kuvendi i Kosovës gjatë procesit të emërimit apo caktimit të anëtarëve të ri të bordeve apo personave në pozita udhëheqëse, që të bazohen në merita dhe vetëm përmes një procesi i cili siguron transparencë dhe i cili siguron që personat e caktuar në ato pozita janë meritor”, thotë Miftaraj.
Qeveria e re e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është formuar më 3 shkurt.
Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurti ka bërë zvogëlimin e numrit të ministrive, nga 21 sa kishte qeveria e kaluar në 15 ministri. Ky zvogëlim i qeverisë ka rritur shqetësimet e shërbyesve civilë për humbje të vendeve të punës.