Dënohen me gjashtë vite burg prindërit mizorë
Nëna Alina Yumasheva dhe njerku Sergey Kazanov nga Omsk i Rusisë, që e dënonin fëmijën tetëvjeçar, që të zvarritej në drithërat e shpërndara në dysheme, janë dënuar me gjashtë vite burg.
Ata e dënonin fëmijën, që thuhet se vidhte dhe ikte nga shtëpia, që të zvarritej me këmbë të zhveshura mbi drithëra, duke bërë që shumë fara t’i mbinin në lëkurë dhe është nevojitur t’i largohen me operacion.
Fëmija i është nënshtruar anestezionit të plotë, për t’ia larguar në mënyrë kirurgjike farat e mbira, nga dënimet e prindërve mizorë, që nganjëherë zgjatnin deri në nëntë orë.
Kur u thirrën në gjykatë, nëna pranoi se ka lejuar të dënohet në këtë formë fëmija i saj, ndëshkim i ashpër që ka zgjatur për dhjetë ditë me radhë, gjatë muajit maj të vitit të kaluar. Derisa fëmija zvarritej me gjunjë mbi kokrrizat e fortë, njerku e godiste dhe ia tërhiqte flokët.
Për lejimin e ndëshkimit, nëna është dënuar me një vit e gjysmë, derisa njerku që e planifikoi dhe urdhëroi ndëshkimin u dënua me katër vjet e gjysmë. Të dy duhet të paguajnë rreth 5,000 euro, si dëmshpërblim ndaj fëmijës, që pësoi këtë dhunë të vrazhdë.
“Kishte fara të futura në mish, disa prej tyre edhe kishin zënë. Ky është tmerri më i madh, që kam parë në 43 vite që punoj si infermiere”, ka thënë infermierja e jetimores, ku po qëndron fëmija.
Lidhur me dënimin mizor, lajmin e kishte dhënë një fqinj kur ia ka parë rastësisht fëmijës gjunjët, që kishin plagë shumë më të mëdha se nga ndonjë rrëzim i zakonshëm.